Eurodeputetja gjermane, Viola Von Cramon i është drejtuar me kërkesë Francës dhe Holandës, dy vendeve anëtare të BE-së, skeptike për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës, që të heqin bllokadën për këtë çështje.
Pas votimit të raportit të Parlamentit Evropian për Kosovës, raportuesja për Kosovën në PE tha se “tash është koha që të miratohet vendimi për liberalizimin e vizave”.
“Sa i përket Këshillit, dhe në këtë kontekst dëshiroj t’i drejtohem drejtpërdrejt Francës dhe Holandës – tash është koha që të miratohet vendimi për liberalizimin e vizave”, tha raportuesja Viola von Cramon.
Çështja e liberalizimit të vizave përmendet edhe në raportin për Kosovën të miratuar sot në Parlamentin Evropian.
“Vota e sotme dëshmon përkushtimin e Parlamentit për integrimin e Kosovës në BE dhe jep një udhëzime se si mund të zbatohen standardet evropiane në Kosovë. Kosova ka dëshmuar në vazhdimësi përkushtimin për të avancuar në reformat e lidhura me BE-në dhe është pozicionuar qartë si një partner i besueshëm, i fuqishëm i lidhur me aleancën evropiane dhe transatlantike. Për fat të keq, BE-ja ka dështuar që të sigurojë lëvizjen pa viza për qytetarët e Kosovës. Unë shpresoj vërtetë se ky është raporti i fundit ku përmendet dështimi i liberalizimit të vizave”, tha Viola von Cramon.
Votimi i raporteve për Kosovën, Serbinë dhe Bosnjë e Hercegovinën, i cili ndodhi sot në PE, pason debatin e mbajtur një ditë më parë për këto dokumente.