Partia Demokratike e Kosovës ka ftuar Prokurorinë e Shtetit që të hetojë rastet e aferave në Ministrinë e Infrastrukturës. Deputetja Blerta Deliu-Kodra në seancë plenare ka përmendur, siç tha ajo, shkeljet që janë gjetur nga Zyra Kombëtare e Auditimit në këtë ministri. Ajo ka theksuar se raporti flet për parregullsi e afera korruptive.
Në deklarimin jashtë rendit të ditës, në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, Blerta Deliu Kodra ka folur për gjetjet e auditorit në Ministrinë e Infrastrukturës.
Deliu-Kodra: Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur një mall me parregullsi në këtë ministri
“Tre muaj më parë, PDK përmes një konference të jashtëzakonshme për medie kishte prezantuar 42 kontrata për punë shtesë dhe disa kontrata një-burimore në Ministrinë e Infrastrukturës. Ndërkohë, që tre muaj më pas pretendimet tona për paligjshmëri e dyshime për korrupsion u konfirmuan edhe Zyra Kombëtare e Auditimit, e cila ka gjetur një mal me parregullsi në këtë ministri e për më keq raporti i saj është i kualifikuar, për të qenë objekt hetimor nga Prokuroria e Shtetit”, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se në këtë raport thuhet se janë gjetur mangësi të mëdha në vlerësimin e kompanive konkurruese për tender, në realizimin e shërbimeve jashtë kontratës, tejkalim të pagesave për kontrata publike dhe vonesa në realizimin e projekteve e dallavere të mëdha në shpronësime.
Deliu-Kodra: Është thënë që aktiviteti i prokurimit është i manipuluar
“Auditori i brendshëm i ka kërkuar Ministrisë së Mjedisit që të anulojë tenderin për mirëmbajtjen e dy autostradave të Kosovës, pasi që aktiviteti i prokurimit është thënë se është i manipuluar, është i kurdisur dhe madje është i koordinuar me operatorin ekonomik që është konstruksion korruptiv me pasoja të mëdha të humbjeve financiare për Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Aktiviteti i prokurimit nuk është anuluar ende. Ndërkohë që kemi parë së fundmi që mediat kanë nxjerrë përgjime të cilat shfaqin dyshime për një aferë korruptive në Ministrinë e Infrastrukturës. Kjo ndërlidhet me rrugën Dollc-Gjakovë dhe zyrtari i kompanisë... dëgjohej duke kërkuar ryshfet në lidhje me kryerjen e disa punimeve shtesë”, ka shtuar ajo.
Megjithatë, ajo shtoi se Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se realizimi i këtij projekti është vonuar tejmase. Deliu-Kodra deklaroi se PDK i bën thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë këto raste në Ministrinë e Infrastrukturës.
Deliu-Kodra: PDK fton Prokurorinë e Shtetit që të veprojë pa humbur kohë
“Partia Demokratike e Kosovës fton Prokurorinë e Shtetit që të veprojë pa humbur kohë t’i hetojë këto afera dhe këtë ministri. Dhe të zbardh natyrisht të vërtetat që zyrtarët e kësaj qeverie i kanë mohuar, madje të njëjtit nuk i kanë pranuar. Një raport i kualifikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit është bazë kryesore, është bazë e mjaftueshme, e vetme që më në fund Prokuroria të veprojë e kryeministri të merr masa dhe të shkarkojë ministrin Aliu dhe zëvendësministrin Durmishi”, ka përfunduar Deliu-Kodra.
Në rend të ditës është edhe debati parlamentar në lidhje me mosliberalizimi i vizave nga Bashkimi Evropian për Kosovën.