Qalaj: Këtë muaj pritet të fillojë intervistimi i dëshmitarëve për energji

Aktuale

Qalaj: Këtë muaj pritet të fillojë intervistimi i dëshmitarëve për energji

Më: 7 korrik 2022 Në ora: 18:48
Rashit Qalaj

Komisioni hetimor i themeluar nga pozita për dyshimet e keqpërdorimit të energjisë elektrike nga viti 2006-2022, pritet që të fillojë intervistimin e dëshmitarëve në këtë muaj.

E, lista e dëshmitarëve që do të ftohen për intervistim do të jenë ish-menaxhmentët e KEK, ZRRE, KEDS dhe KESCO, dhe të gjitha personat e involvuar në këtë çështje

Këtë e ka bërë të ditur deputeti i PDK-së, njëherit anëtar i këtij komisioni , Rashit Qalaj.

“Në fillimisht do ta klasifikojmë materialin në bazë të viteve dhe ato proceset që kanë qenë të rëndësishme dhe pastaj duke u bazuar në material do t’i ftojmë edhe dëshmitarët varësisht se kush janë personat që i kanë bërë proceset në atë kohë, dhe intervistimi besoj se do të filloj këtë muaj”, është shprehur Qalaj.

Ndërsa, ka thënë se nuk dihet ende se kush do të jetë i intervistuari i parë i cili do të intervistohet për këtë çështje.

“Ende, nuk e dimë”, është përgjigjur shkurt Qalaj.

Por, pavarësisht, mbledhjes për disa herë të këtij komisioni ky i fundit ende nuk e ka përpiluar listën përfundimtare.

Ka, përkrahur një listë e cila do të përfshijë të gjithë personat që kanë qenë pjesë e këtyre proceseve që nga viti 2006.

“Ende nuk është votuar lista përfundimtare, por në mbledhjen e  fundit të komisionit jemi dakorduar që në parim ta votojmë, ta përkrahim një listë pa emra, por të gjithë atyre që kanë qenë bartës të institucioneve në kohën kur janë zhvilluar proceset në lidhje me energjinë, me privatizimin e me të gjitha ngjarjet që kanë ndodhë në të kaluarën”, ka deklaruar anëtari Qalaj.

Ai ka treguar se javën tjetër do të organizojnë një punëtori dy ditore dhe se në të do të caktohet gjithçka në lidhje me dëshmitarët.

Ndërsa, shumë shpejtë do të mbajmë një punëtori dy ditore në të cilën do ta renditim materialin nga viti 2006 e tutje dhe pastaj varësisht nga materiali cilat emra na dalin që kanë qenë përgjegjës atëherë do t’i ftojmë në intervistë të gjithë. Punëtoria pritet të mbahet javën e ardhshme , në fakt gjithsesi do të mbahet në javën e ardhshme”, ka pohuar ai.

Debat për listë ishte bërë pikërisht për disa emra të cilët i kërkonte për inervistim partia e pushtetit Lëvizja Vetëvendosje,.

Arbër Rexhaj, deputet i kësaj partie ka përmendur edhe emrin e ish-presidentit Hashim Thaçi për intervistim.

Por, këtë e kishte kundërshtuar kryetari i këtij komisioni Hajdar Beqa duke thënë se është e papranueshme një kërkesë e tillë pasi që ish-presidenti Hashim Thaçi gjendet në Hagë.

Lidhur me kërkesën e VV-së, deputeti Qalaj ka një përgjigje.

“Në listë nuk do të përshihet ish-presidenti Hashim Thaçi, ai është në Hagë për procese shumë më madhor, ndërsa gjithë të tjerët që kanë qenë bartës të proceseve, bartës të institucioneve, të bordeve, të këtyre komisioneve të gjithë do të përfshihen”, ka thënë ai.

I, pyetur se çka do të ndodhë nëse pozita do të insistojë në këtë Qalaj ka pasur një pyetje për ta.

“A ka dikush që mundet me siguri që z. Thaçi mundet me ardh me u intervistua? Ajo është e pakuptimtë dhe është politikisht e pamoralshme dhe unë besoj se këto gjëra i kemi tejkaluar, ndërsa to të intervistohen bartësit e institucioneve”, është shprehur Qalaj.

Komisioni hetimor i iniciuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, do të udhëhiqet nga deputeti Hajdar Beqaj i PDK-së dhe është formuar më 5 maj.

Për disa javë, pushteti dhe partitë opozitare ishin përplasur rreth formimit të komisionit hetimor për energjinë, teksa opozita ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje se e pengonte atë që ta formonte një komision të tillë.

Debati për energjinë elektrike në Kosovë ka nisur që nga fundi i vitit të kaluar, kur Kosova u përball me reduktime të rrymës, për shkak të një krize globale të energjisë.

Situata më pas u përkeqësua, për shkak se Kosova nuk mund të mbulonte nevojat e saj me kapacitetet prodhuese të KEK-ut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat