Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu – Kodra, ka shpjeguar votën kundër të partisë së saj në lidhje me projektligjin për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ajo tha se vota abstenuese ishte që në start, pasi i kishin dhënë vërejtjet në kohën kur qeveria e ka përfunduar punën e saj dhe e ka sjell projektligjin në kuvend.
“Kemi abstenuar në start sepse kemi konsideruar që qeveria, konkretisht ministria e Drejtësisë do të ketë një reflektim karshi vërejtjeve që i kemi dhënë ne si opozitë”.
“Madje, këto vërejte i kanë dhënë edhe nga shoqëria civile dhe ata i kanë deleguar ato vërejte në ministrinë e Drejtësisë”, është shprehur Deliu – Kodra.
Ajo tha se abstenimi është bërë me idenë se do të ketë ndryshime, pasi sipas saj, për mënyrën se si është sjellur në kuvend projektligji, qe e pamundur të miratohet për shkak të shkeljeve kushtetuese.
Deliu-Kodra tutje tha se pasi kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, e çoi projektligjin në Komisionin e Venecias, ky komision konstatoi se projektligji ishte mbi 90% në kundërshtim me opinionin e tyre.
“Duket se ai e kuptoi drejt se projektligji kishte shumë probleme, që jam e bindur se i janë thënë edhe në takime të tjera, se vendimi ishte i tij që ky projektligj të dërgohet te Komisioni i Venecias, ndërkohë ne të kemi një raport nga ta dhe pastaj kuvendi të hapë diskutimin”, është shprehur Deliu –Kodra.
Kujtojmë se sot ky projektligj nuk i pati votat e mjaftueshme që të kalojë dhe ajo që ra në sy ishte vota abstenuese e vet Konjufcës.