Në Kosovë ditëve te fundit është raportuar rritje e numrit të rasteve pozitive me Covid-19. Lidhur me këtë, ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi është shprehur i shqetësuar.
Ai ka shtuar se janë duke analizuar situatën dhe nëse ka nevojë do të edhe marrin masa. Latifi apelon te të rinjtë dhe moshuarit që të vaksinohen edhe me dozën e katërt të vaksinës.
Ai tha se ka vizituar spitalet që merren me trajtimin e pacientëve me Covid-19 dhe janë të gatshëm të përballojnë çfarëdo lloj situate.
“Ne jemi duke analizuar për çdo ditë procesin, numrin e rasteve, vështirësitë dhe intensitetin e këtyre sëmundjeve. Fatkeqësisht ne jemi pjesë e gjithë botës. Dhe në të gjitha vendet nëpër botë rastet po rriten. E mira është që niveli ose intensiteti i sëmundjeve nuk është sikur që ka qenë përpara. Ne duhet të marrim të gjitha masat që duhen në bazë të këshillave që i merr nga komiteti për menaxhimin e pandemisë. Ne do ta bëjmë sikurse gjithë bota”.
Sipas tij, tash për tash, s’ka nevojë, për shtrëngim të masave.
“Ne nuk mund të marrim masa të posaçme vetë për vendin tonë. Nëse ka nevojë i marrim ato. Por tash për tash nuk ka nevojë. Ne kemi aprovuar vaksinën e katërt. Të gjithë qytetarët të rinjtë dhe të moshuarit duhet të vaksinohen sipas rregullave që kemi. Dy vaksina, të tretën dhe të katërtën. Unë i kam vizituar spitalet që merren me trajtimin e pacientëve me Covid dhe jemi të gatshëm të përballojmë çfarëdo situate që ka nevojë. Ne do të kemi kapacitete për të menaxhuar të gjitha rastet nëse kemi nevojë”, tha Latifi.