BE-ja, si ndërmjetësi kryesor në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po punon që takimi i kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq të zhvillohet në Bruksel.
“Ne jemi duke punuar që të organizojmë një takim dialogu midis Kosovës dhe Serbisë në nivelin më të lartë. Kjo mund të ndodhë kur të dyja palët të pajtohen për datën, agjendën, por edhe për arritjen e rezultateve të prekshme dhe të qëndrueshme”, kanë thënë në qarqet pranë zyrës së kreut të diplomacisë së BE-së Josep Borrell.
Gjithashtu theksohet se BE-ja nuk dëshiron të organizojë një takim të tillë “vetëm për hir të dialogut”, pra pa perspektivë për arritjen e një marrëveshjeje.
Në Bruksel thonë se përfaqësuesi special i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, këtë javë po zhvillon bisedime bilaterale me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe kryenegociatorin Besnik Bislimi. Shtohet se takimit të nivelit të lartë politik sigurisht që do t’i paraprijë një raund tjetër dialogu mes kryenegociatorëve, i cili duhet të përgatisë terrenin për “rrumbullakimin e marrëveshjes” në nivel të lartë.
Burimet diplomatike të agjencisë serbe të lajmeve Tanjug në Bruksel theksojnë edhe faktin se shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, kohëve të fundit ka shprehur shpresën se takimi Kurti-Vuçiq do të bëhet para pushimeve verore.