Në një seancë të Kuvendit para disa javësh, kryeministri i vendit Albin Kurti kishte thënë se deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu nuk është i denjë për ta propozuar projektligjin për Trustin.
Për këtë, Haxhiu thotë se kur një akuzë e tillë vjen prej një personi si Kurti, “është diçka që nuk ia vlen me komentu”.
Haxhiu tha se në këtë kohë të krizës ekonomike vendin do duhej ta udhëhiqte një ekonomist, e jo një elektricist, siç e quan ai Kurtin.
“Në këtë krizë ekonomike, ne kena nevojë që me udhëheq një ekonomist i zoti, e jo një elektricist, një inxhinier i elekstros, si Albin Kurti. Sepse atëherë Albin Kurtin do duhej me qu në KEK edhe me rregullu naj tel të rrymës, mirëpo ne e dimë se Albin Kurti asnjë ditë përvojë pune nuk e ka në profesionin e tij. Ai është marrë me politikë në vazhdimësi, dhe kurrë nuk është marrë me profesion. Prej një personi të tillë vijnë akuza të tilla, atëherë, sinqerisht është diçka që nuk ia vlen as me komentu”, tha Haxhiu.
Në seancën e 26 qershorit, kryeministri Kurti kishte ironizuar me Haxhium duke thënë se nuk ka qenë i njoftuar se një doktor shkence ka propozuar një Projektligj për Trustin. Kreu i Ekzekutivit e kishte quajtur dilentanizëm të jashtëzakonshëm propozimin e Haxhiut për lejimin e tërheqjes së mjeteve nga Trusti.