Ish-i dërguari i presidentit amerikan Richard Grenell tha të mërkurën se evropianët dhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti janë problemet kryesore në dialogun Beograd-Prishtinë.
Duke folur në një ligjëratë oër studentët e shkencave politike në Beograd, ai tha se administrata aktuale amerikane është e vendosur që evropianët të udhëheqin procesin, por se ata nuk kanë zgjidhur asgjë gjatë, siç tha ai, mijëra takime që ishin humbje kohe.
Sipas tij, pyetja që duhej të ngrihej në takimin në Bruksel ishte se si mund të përmirësohet jeta e njerëzve të zakonshëm.
Ai tha se nuk ka lidership në proces, duke shtuar se SHBA-ja duhet të jetë në krye sepse dialogu nuk është prioritet për Evropën.
Grenell tha se ndarja e Kosovës nuk është diskutuar asnjëherë në takimet ku ka marrë pjesë edhe vetë ish-presidenti Donald Trump, duke shtuar se kjo ide nuk ka pasur kurrë mbështetje evropiane.
Ish-ambasadori amerikan tha se KFOR-i nuk duhet të jetë në Kosovë dhe as trupat amerikane nuk duhet të jenë atje nën flamurin e OKB-së, sepse kjo krijon përshtypjen e një rajoni konfliktual.
Ai kujtoi se marrëveshjet e Uashingtonit kishin për qëllim të ndihmonin në përmirësimin e ekonomisë dhe fokusimin në jetën e përditshme.
Ish-ambasadori në Berlin shprehu zhgënjimin që ‘Lufthansa’ nuk ka vendosur fluturime ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës siç është rënë dakord.