Ish i dërguari amerikan, për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se Serbisë nuk duhet t’i kërkohet njohja e Kosovës.
Duke folur para studentëve të shkencave politike në Beograd, Grenell ka kërkuar që KFOR-i të largohet nga Kosova dhe që trupat amerikane nuk duhet të jenë këtu nën flamurin e OKB-së.
Ai poashtu ka fajësuar kryeministrin Albin Kurti dhe Bashkimin Evropian, për pengim të procesit të dialogut.
Për këtë ka reaguar Avni Zogiani, zyrtar në Lëvizjen Vetëvendosje, përcjell Bota sot.
“Dullo, Isë, e ju tjerë... demantojeni! A po ju çon mesazhe hala...?”, ka shkruar Zogiani në një postim në Facebook.
Tetë muaj më parë, shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka treguar se Grenell, u kishte dhënë LDK-së 7 ditë kohë që ta rrëzonte Qeverinë Kurti 1.
Ai kishte treguar se ka pasur mesazh të qartë nga Grenell drejtuar LDK-së për këtë çështje dhe se sa herë kalonin ditët pa ndodhur gjë, presioni rritej.
”Ne kemi pasur në mënyrë të saktë dhe të qartë të shkruar se kemi 7 ditë për të rrëzuar qeverinë. Dhe çdo ditë ka ardhur mesazh, 7, 6 , 5 nuk ka asgjë të re dhe mezi i kemi nxjerrë tri ditë të reja. E ka thënë vetë ambasadori amerikan se ata kanë bërë presion për ta rrëzuar”, kishte thënë Gashi./Botasot