Vendimi befasues i Konjufcës, ja pse abstenoi në votimin për Byronë Shtetërore
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka treguar arsyen pse abstenoi në miratimin e Byrosë Shtetërore në lexim të parë në seancën e Kuvendit.
Konjufca tha se pasi ka lexuar opinionet e Komisionit të Venecias, ka vendosur të abstenojë derisa këto opinione të përfshihen në projektligj nga komisioni funksional i Kuvendit në leximin e dytë.
“Qëndrimi im ka qenë ky, që pasi e kam dërguar për vlerësim këtë projektligj në Komisionin e Venecias i kam pritur opinionet e këtij komisioni shumë të rëndësishëm. Pasi i kam lexuar me vëmendje opinionet e këtij komisioni, kam konstatuar që meqë vetë jam bërë garant i dërgimit të këtij Projektligji në këtë Komision është edhe arsyeja pse kam abstenuar dhe kështu do të bëjë edhe sot sepse më duket shumë korrekte që pasi vet e kam dërguar të pres deri në përfshirjen e këtyre opinioneve në lexim të dytë nga komisioni funksional. Në të njëtjën kohë jam fort i bindur që këtë punë mund ta kryejë komisioni funksional unë kam besim në komisionet e kuvendit të Kosovës. Komisioni që e trajton mendoj se ka aftësi me i përfshi opinionet e Komisionit të Venecias”, tha Konjufca.
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kuvendi miraton projektligjin për deklarimin e pasurisë
Kuvendi i Kosovës e ka miratuar raportin vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021 si dhe Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave, për të cilin abstenoi kryeparlamentari Glauk Konjufca.
Deputetët gjithashtu kanë votuar për raportin vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, i cili gjithashtu është miratuar më 61 vota për.
Në votim kanë marrë pjesë vetëm deputetët e shumicës, 61 prej tyre. Ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk janë në sallën ku po mbahet seanca plenare.
Ndërsa deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk janë në sallën e seancave plenare.
Deputetët gjithashtu e kanë miratuar në lexim të dytë i Projektligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave. Ky projektligj ka kaluar më 60 për dhe një abstenim.
Derisa janë votuar pikat e papërfunduara nga seancat e kaluara, është miratuar edhe Raporti vjetor i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2021.
“Qenke rrezitur”, Kurti merr pjesë në seancën e Kuvendit
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti është parë në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.
Nga ulëset e opozitës është dëgjuar shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi duke i thënë shefit të ekzekutivit “qenke rrezitur”.
Kurti po merr pjesë në seancë pas qëndrimit disa ditor në Greqi ku kishte shkuar në kuadër të “Symi Symposium”.
Kurti është kritikuar nga partitë opozitare për qëndrimin e tij në Greqi, pasi sipas tyre kreu i ekzekutivit duhet të merret me problemet e qytetarëve në Kosovë.
Fillon seanca e Kuvendit, vonesa në votim për shkak të mungesës së deputetëve
Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca plenare ku në rend dite janë disa pika të papërfunduara nga seancat e kaluara ndër të cilat edhe votimi në parim i projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Kryetari i Kuvendit e ka hedhur në votim raportin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021 por votimi nuk është realizuar për shkak të mungesës së deputetëve.
Konjufca: Presim deputetin e 61 për të votuar
“E prisja një deputet të mazhorancës, Arben, sepse ju nuk po votoni, është e vetmja mundësi me vazhdu seanca me u bë 61m nuk ka tjetër. E hedhim në votim raportin vjetor financiar të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021. Prapë janë vetëm 60, presim edhe pak”, ka thënë Konjufca.
Pas pikave të papërfunduara nga seancat paraprake, Kuvendi do të vazhdojë punimet me seancën e re plenare ku në rend dite është edhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike.
Në seancë është parë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Nis seanca e Kuvendit, s’ka kuorum të mjaftueshëm për vendimmarrje
Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e seancës plenare e cila është vazhdim i seancës së kaluar.
Në rend dite janë miratimi i disa pikave të papërfunduara nga seancat e mbajtura më 16,22,23 qershor e 1 dhe 6 korrik 2022.
Deri më tani janë hedhur në votim dy pika, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021 dhe Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021, por të njëjtat për shkak të mungesës së kuorumit nuk janë votuar.
Opozita nuk po merr pjesë në votim, duke pamundësuar kështu kuorumin e mjaftueshëm për vendimmarrje.
Kryeparlamentari Glauk Konjufca ndërkohë ka thënë se po presim edhe pak, në mënyrë që të krijohet kuorumi i mjaftueshëm.
Kryeministri Kurti kthehet në atdhe
Kryeministri Albin Kurti është kthyer në Kosovë pas nëntë ditë qëndrimi në Greqi. Ai po merr pjesë në seancën e Kuvendit që po zhvillohet tani.
Ardhjen e tij në seancë e ka përshëndetur edhe bashkëpartiaku i tij, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca.
“Mirë se erdhe kryeministër”, tha Konjufca, teksa shefi i qeverisë hyri në sallë.
Kryeministri Albin Kurti më shumë se një javë ka qëndruar në Greqi. Shefi i Qeverisë ditët e fundit po qëndron në bregdetin e Lagonisit, 30 kilomentra në juglindje të Athinës.
Mblidhet Kuvendi, në rend dite votimi i Byrosë
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në dy seanca plenare. E para që është planifikuar të nisë në ora 10:00 në të vërtetë është vazhdim i pikave të papërfunduara të seanca të kaluara si pasojë e mungesës së kuorumit.
Janë 9 pika gjithsej që presin të shqyrtohen ose të votohen nga ligjvënësit kosovarë. Si pikë e rëndësishme mbetet ajo për votimin në parim të Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i kritikuar nga opozita.
Vëmendje do të marrë edhe pika ku parashihet votimi në lexim të dytë i Projektligjit për Deklarimin Prejardhjen dhe Kontrollin e Pasurisë dhe të Dhuratave.
Si pikë të tjera që do të diskutohen në pjesën e parë të mbledhjes së Kuvendit janë edhe: Shqyrtimi i Raportit vjetor të Performancës së Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021; Shqyrtimi i Raportit vjetor financiar i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2021; Votimi i Raportit vjetor të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, për vitin 2021; Votimi në lexim të dytë i Projekt-kodit nr. 08/L-032 të Procedurës Penale; Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-132 për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale; Votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-131 për Shërbimin Korrektues të Kosovës dhe votimi në lexim të dytë i Projektligjit nr.08/L-129 për Shërbimin Sprovues të Kosovës
Prej orës 11:00 është paraparë të fillojë seanca e re parlamentare që nis si zakonisht me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
Në rend dite është edhe shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane; Shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë si dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike.