Elvis Kelmendi, djali i kreut të perandorisë ballkanike të drogës, Naser Kelmendi u arrestua të martën nga autoritetet boshnjake.
Ai dhe disa të tjerë u prangosën në Sarajevë për krim të organizuar, lidhur me kontrabandën ndërkombëtare dhe trafikimin e sasive të mëdha të drogës, si dhe për vepra të tjera penale.
Në Kosovë, Elvis Kelmendi kërkohet nga viti i kaluar. Policia e Kosovës e kishte bërë një tentim ‘online’ në tetor të 2021 për t’i rënë në gjurmë, duke kërkuar ndihmën e qytetarëve.
Policia njoftonte se Elvis Kelmendi kërkohej për mashtrim, falsifikim të dokumenteve dhe lëndim të rëndë trupor.
“Policia e Kosovës – Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, bazuar në ligjin për publikimin e fotos me shënime tjera të personit të kërkuar më Urdhëresë të Gjykatës Themelore nё Pejë, dega në Istog dhe Gjykata Themelore Prishtinë, me qëllim lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tij, lëshon: Kërkesë për bashkëpunim me qytetarët. Personi i kërkuar është: ELVIS (Naser) KELMENDI i lindur me 03.05.1978 në Pejë” thuhej në njoftimin e Policisë.
“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, ta lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor”, thuhej në njoftimin ku Policia u kërkonte ndihmë qytetarëve.
44-vjeçari ia arriti që të mos bie kurrë në prangat e Policisë së Kosovës.


Biznesmeni nga Peja, Naser Kelmendi, bashkë me djemtë e tij, vazhdon t’i trazojë organet e drejtësisë në rajon e më gjerë. Ai ka kohë që e ka shndërruar familjen e tij në një grup kriminal, të njohur kryesisht për trafikim të drogës e krim të organizuar.