Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj tha se nëse do të ishte në pushtet ndonjëra nga partitë e opozitës, PDK, LDK, AAK nuk do të vinte në shprehje votimi i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme ose të Paligjshme.
Raxhaj deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje e ka shtyrë që të votohet projektligji për Byronë Shtetërore dhe sipas tij vetëm në kohën e Qeverisë Kurti mund të votohet ky projektligj.
“Qëndrimi i Lëvizjes Vetëvendosje është qëndrim për ta votuar këtë sepse mendoj që vetëm Lëvizja Vetëvendosje e ka shtyrë këtë dhe vetëm në kohën tonë mund të votohet kjo.Ta marrim hopotetikisht nëse do të ishte në qeveri ndonjë subjekt tjetër politik përfshirë PDK, LDK, AAK e të tjera nuk mendoj që do të vinte as në shprehje votimi i Byrosë për Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme ose të paligjshme dhe në këtë kuptim, mendoj që Kuvendi i Kosovë, respektivisht deputetët e Kuvendit t të Kosovës kanë bërë gjënë më të mirë”, tha Rexhaj.
Ai tutje gjatë emisonit u shpreh se në leximin e dytë të kësaj Byroje pret që të përfshihen të gjitha këshillat që i ka dhënë Komisioni i Venecias si dhe amendamentet të cilat vijnë nga partitë politike.
“Leximin e dytë e shoh që brenda kësaj Byroje të inkorporohen të gjitha këshillat që i ka dhënë komisioni i Venedikut, amendamente të cilat vijnë nga partitë politike dhe në fund të jetë një ligj i cili realisht do të jetë i zbatueshëm në praktikë”, tha deputeti i VV-së Arbër Rexhaj.
Ndërkohë sot në seancën e Kuvendit të Kosovës, është miratuar në lexim të parë Projektligji për Byronë Shtetërore për konfiskimin e pasurisë.
Ky mekanizëm do të bëjë verifikimin e pasurisë së personave zyrtarë dhe në rastet e mospërputhjes së pasurisë dhe të hyrave, agjencia do i propozojë Gjykatës konfiskimin e asaj pasurie të pajustifikueshme.