Kryeprokurori i Prokurorisë së Gjakovës, Ramiz Buzhala, dyshohet se ka ndërhyrë në konkursin për bashkëpunëtorë profesionalë në prokurori.
Ai dyshohet se duke dashur t'ia dërgojë pyetjet e testit një kandidateje që priste të futej në test, ato gabimisht i dërgoi në numrin e telefonit të një gazetareje.
Media dje publikoi edhe mesazhet me pyetje, që kryeprokurori i Gjakovës kishte dashur t’ia dërgonte kandidates Adelina, por ia dërgoi gazetares Adelina.
Me këtë rast Buzhala dyshohet se kishte për qëllim të ndërhynte në testin i cili pritej të mbahej pak orë më pas, për kandidatët që ia kishin mësyrë garës për t'u bërë bashkëpunëtorë profesionalë.
Suspendohet Kryeprokurori
Këshilli Prokurorial i Kosovës menjëherë të nesërmen thirri takim urgjent në lidhje me këtë rast, ku njoftoi suspendimin e kryeprokurorit Buzhala, e fillimin e procedurës disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës, të cilët kishin për detyrë përzgjedhjen e bashkëpunëtorëve profesionalë.
“KPK ka marrë vendim për suspendimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Gjakovës, Ramiz Buzhala. Po ashtu, ushtruesi i detyrës së Drejtorit të përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, pas anulimit të konkursit ka filluar procedurën disiplinore ndaj anëtarëve të komisionit përzgjedhës të shërbimit civil për zhvillimin e procedurës së rekrutimit, për pozitën Bashkëpunëtorë profesionalë për Prokuroritë Themelore në Gjakovë, Prizren dhe Pejë”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e KPK-së.
Pasuria e Kryeprokurorit Ramiz Buzhala
Në regjistrin për deklarimin e pasurisë, pranë Agjencisë Anti-korrupsion, Buzhala kishte dorëzuar të dhënat për pasurinë e tij më 22 mars të këtij viti.
Kryeprokurori tashmë i suspenduar, ka deklaruar 68 mijë euro para të gatshme në emër të tij.
Si pasuri të paluajtshme kryeprokurori ka deklaruar dy banesa, njëra e blerë në vitin 2006, për 50 mijë euro, e tjetra e blerë së fundmi, në ndërtim e sipër, e cila kap vlerën e 63 mijë e 840 eurove.
Te pasuria e paluajtshme e Buzhalës, figuron edhe një shtëpi e tokë me 200 metra katrorë, por të cilës nuk i është përcaktuar ndonjë shumë dhe është deklaruar si pasuri e përbashkët.
Në këtë fletë të antikorrupsionit, kryesori i prokurorëve të Gjakovës ka deklaruar dy vetura; njëra Passat që sipas deklarimit kap vlerën e 5 mijë eurove dhe tjetra Golf VI e cila kushton 7 mijë e 600 euro, e deklaruar në emër të fëmijëve.
Çka ndodhi në ditën e testit
Duke dashur t’i dërgojë pyetjet tek një kandidate që po priste mbushjen e testit, në fakt, Buzhala pyetjet i dërgoi në adresën më të gabuar të mundshme. Ishte një gazetare e kallxo.com, ajo e cila të mërkurën rreth orës 11:00, u befasua me një mesazh, që përmbante pyetjet e testit që do të fillonte vetëm pas pak orëve.
“Këto janë pyetjet e testit me shkrim. Shiko shfrytëzoje kohën deri në orën 13:00”, i shkruante kryeprokurori gazetares në mesazh, pasi që i kishtë përcjellë pyetjet e testit.
Kur gazetarët e thirrën mbrapsht Buzhalën, e i kërkuan detaje, ai siç duket kishte kuptuar “gabimin fatal” që kishte bërë.
Me zë të ulët e në mënyrë të ndrojtur, kryeprokuroi kërkonte nga gazetarët ta fshijnë mesazhin.
“Fshije që s’priton”, dëgjohet duke thënë kryeprokurori.
Ishte tepër vonë, zëri i tij po regjistrohej, e pak orë më vonë kishte për ta dëgjuar krejt Kosova.
Buzhala gjatë bisedës së regjistruar dëgjohet disa herë duke u arsyetuar se krejt kjo është një gabim, dhe se nuk kishte për qëllim të ndërhynte në konkurs.
E për ta dëgjuar arsyetimin e tij në lidhje me këtë situatë, media ka provuar të kontaktojë tërë ditën me vetë protagonistin Ramiz Buzhala, por telefoni i tij ishte i paqasshëm.
As Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, nuk u është përgjigjur telefonatave të redaksisë sonë.
Nuk vonoi shumë kur Këshilli Prokurorial i Kosovës doli me reagim duke paralajmëruar se do të marrë të gjitha masat e nevojshme ligjore ndaj kryeprokurorit e të përfshirëve në këtë skandal.
Reagimet pas skandalit
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte më e shpejta në reagimin e saj.
Ajo nuk priti më shumë se një orë për t’i bërë thirrje, e përtej thirrjes edhe duke specifikuar masat që duhet të marrin organet gjegjëse.
“Janë të panumërta ankesat që adresohen në Ministri të Drejtësisë lidhur me procedurat e rekrutimit në sistemin e drejtësisë. Kandidatët në vazhdimësi ankohen për punësimin e familjarëve, miqve, pra për procese të kurdisura. Lajmi i sotëm nga portali kallxo, që kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Gjakovë i ka dërguar pyetjet një kandidati për bashkëpunëtor profesional (por që gabimisht ia ka dërguar gazetares), është arsye e mjaftueshme për nisjen e hetimeve ndaj kryeprokurorit dhe suspendim të tij”, thuhet në reagimin e ministres Haxhiu.
Drejtori i Institutit Kosovar të Drejtësisë, Ehat Miftaraj, skandalin që e shkaktoi ky mesazh i kryeprokurorit e ndërlidhi me nevojën për reformë të thellë në sistemin e drejtësisë.
“A keni ende dyshime për nevojën për Vetting në Kosovë? A po e kuptoni se reforma në sistem prokurorial s'ka alternativë? Sa më pak integritet, mundësitë me qenë anëtar në KPK dhe me marrë pozitë të Kryeprokurorit janë më të mëdha. Sigurisht, me pak përjashtime të rralla, shumë shumë të rralla”, shkroi Miftaraj.
Në ditën e skandalit reagoi edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës. Ata siguruan se do të mirrnin të gjitha masat e nevojshme në lidhje me këtë rast. Ata e kanë anuluar konkursin për bashkëpunëtorë profesionalë në Pejë, Gjakovë dhe Prizren.
Konkursi
Më datë 15 shkurt 2022, Sekretariati i Këshillit Prokurorial, pas vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës e shpalli këtë konkurs, duke kërkuar 39 bashkëpunëtorë profesionalë në krejt Kosovën.
10 prej tyre kërkoheshin për Prokuroritë ku u anulua ky konkurs, pas skandalit; Gjakovë (2) pozita, Pejë (3) pozita e Prizren (5) pozita.
Të dhjetë kandidatët, falë këtij mësazhi të dërguar gabimisht, pritet t’i nënshtrohen testit nga e para, në një datë ende të pacaktuar.