Çështjet aktuale politike nuk duhet ta largojnë vëmendjen nga reformat dhe rruga evropiane, tha kreu i diplomacisë evropiane, Josep Borell, në konferencën e shtypit me kryeministrin Dritan Abazoviq, të enjten në Podgoricë.
Mbledhja e sotme e Këshillit për Stabilizim dhe Asociim po mbahet për herë të parë në Mal të Zi dhe zhvillohet në një situatë të re gjeopolitike për integrimin e Ballkanit Perëndimor.
“Ishte e rëndësishme t'u tregohej qytetarëve të rajonit përkushtimi për një të ardhme të përbashkët në BE. Mendoj se situata aktuale gjeopolitike e bën integrimin e Ballkanit Perëndimor një prioritet edhe më të madh strategjik dhe gjeopolitik. Kemi përfunduar rishikimin e marrëdhënieve me Malin e Zi. Biseduam edhe për ngjarjet rajonale dhe të brendshme”, tha zoti Borell.
Mali i Zi shihet gjerësisht si vendi i parë në radhë për anëtarësimin në BE, por përparimi i vendit është ngadalësuar për shkak të tensioneve të brendshme politike, që mund të shkaktojnë edhe rënien e qeverisë së pakicës.
“Mendoj se fokusi i të gjitha palëve duhet të jetë në reformat evropiane, asgjë nuk duhet të jetë më e rëndësishme për Malin e Zi sesa rruga evropiane, veçanërisht në një kohë kur mund të jetë udhëheqës në këtë drejtim. Ju keni potencialin për të qenë një histori e suksesshme sepse shumë kapituj janë të hapur dhe është koha për fazën e dytë”, tha zoti Borell.
Komisioneri për Zgjerim Oliver Varhelyi tha, se Mali i Zi tashmë po humbet kohë të çmuar.
“Këto ditë, humbja e kohës nuk është diçka që mund ta përballosh. Koha që po humbisni tani do t'ju kushtojë dyfish, sepse tani duhet të përqendroheni në pasojat e luftës në Ukrainë, por edhe në atë se si të shpejtoni punën tuaj në rrugën drejt BE-së. E kuptoj që ka një konsensus për të ecur përpara më shpejt. Dihet që jeta politike këtu është plot ngjyra, vazhdimisht po zbuloj disa nuanca, por duhet të veproni atë mënyrë që ndërkohë të arrini rezultate në interesin tuaj kyç”, tha zoti Varhelyi.
Kryeministri Dritan Abazoviq tha se Mali i Zi ka vetëm një prioritet të politikës së jashtme - anëtarësimin në BE.
“Të gjithë duhet të jemi të përkushtuar, duhet të zgjidhim disa gjëra që nënkuptojnë një konsensus më të gjerë, të shkojmë sipas asaj që janë vendimet me dy të tretat apo tre të pestat e Kuvendit. Nëse arrijmë të japim rezultatet, besojmë se Komisioni Evropian do ta njohë këtë dhe se Mali i Zi do të shkojë drejt standardeve përfundimtare, të cilat do të mundësonin mbylljen e kapitujve të negociatave sipas metodologjisë së re. //Ne duam të përhapim frymën evropiane në Mal të Zi dhe të përpiqemi me partnerët tanë në këto kohë komplekse të tregojmë konstruktivitet në mënyrën më të mirë”, tha zoti Abazoviq.
Kryeministri Abazoviq shprehu besimin se do të gjendet urtësi e mjaftueshme politike për të realizuar ëndrrën e shumë qytetarëve, hyrjen e Malit të Zi në BE.
Mirëpo, protestat e shpeshta, gjuha e urrejtjes dhe ndarja në grupimin pro-malazez në njërën anë dhe në atë pro-serb në anën tjetër ka ndikuar në rritjen e tensioneve ndëretnike në vend. Mali i Zi duhet të zbatojë reformën gjyqësore dhe të sundimit të ligjit, të përmirësojë lirinë e medias dhe të nxisë luftën kundër krimit dhe korrupsionit./VOA