Raporti i “Europa Nostra”, reagon kryetari i Deçanit

Aktuale

Raporti i “Europa Nostra”, reagon kryetari i Deçanit

Më: 15 korrik 2022 Në ora: 10:20
Manastiri i Deçanit

Raporti i organizatës “Europa Nostra” ku e ka konsideruar të rrezikuar Manastirin e Deçanit është kthyer sërish në temë diskutimi dhe ka ngjallur reagimin e institucioneve vendore.

Ministrat Liburn Aliu e Hajrulla Çeku në një takim që kishin pasur me përfaqësuesit e kësaj organizate kishin kërkuar që “Europa Nostra” t’i kërkojë falje Kosovës për konstatimin e bërë.

E lidhur me këtë konstatim të “Europa Nostra” se Manastiri i Deçanit është një nga 7 monumente të rrezikuara ka reaguar sot edhe kryetari i komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj.

“Vlerësojmë se raporti i publikuar më datë 13.07.2022, nga ‘EuropaNostra’ është i pabazuar dhe nuk përket me realitetin e përditshëm i cili ndodh në komunën e Deçanit”, thuhet në reagimin e Ramosajt.

“E themi me bindje që ‘EuropaNostra’ nuk i është referuar në asnjë moment raporteve zyrtare të nxjerra nga mekanizmat relevante të sigurisë, përfshirë KFOR-in si përgjegjës i drejtpërdrejtë në këtë zonë, i cili i është prezantuar delegacionit të ‘EuropaNostra’ gjatë takimit në komunën e Deçanit!

Vlerësojmë se, ‘EuropaNostra’ është dashur që t’i trajtoj me më kompetencë dhe profesionalizëm aspektin e sigurisë juridike duke iu referuar organizatave ndërkombëtare që në mandatin e tyre e kanë monitorimin për zbatimin e ligjshmërisë siç është OSCE, BE, KZM-ja si trupë monitoruese dhe dokumenteve relevante të cilat i posedon komuna e Deçanit”, thuhet më tej në reagimin e kryetarit të Deçanit.

Ai ka shprehur indinjatën kundrejt pretendimit të organizatës që Manastiri i Deçanit të shpallet ndër 7 objektet më të rrezikuara, pa i vlerësuar faktet konkrete të cilat kanë relevancë për çështjen në fjalë, dhe të cilat u janë ofruar delegacionit tuaj gjatë takimit në komunën e Deçanit.

“E themi me përgjegjësinë më të lartë që objektivat dhe qëllimet e institucioneve të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të komunës së Deçanit janë paqësore, objektiva të zhvillimit ekonomik dhe bashkëjetesës së harmonizuar, duke respektuar, mbrojtur e njohur vlerat e kujtdo qofshin në këtë shtet e në veçanti të Manastirit në fjalë”, tha ai.

Ndryshe, organizata “Europa Nostra” kishte theksuar se Manastiri i Deçanit është një nga 7 monumente të rrezikuara. Po ashtu theksohej se Manastiri rrezikohet nga elementët ekstremistë që lidhet me radikalizmin fetarë që përmendet organizata ISIS.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat