Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj e ka pyetur ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e cila po raporton para Komisionit Hetimor për Energji, se a është përgjegjëse për “neglizhencës rreth krizës energjetike” që pati kapluar Kosovën, sidomos në periudhën dimorëre.
“A e ndjeni vetën përgjegjëse për neglizhencën? Sa më kujtohet ju keni thënë se nuk do të ketë krizë energjetike dhe se do t’i marrim të gjitha masat. Cilat janë ato masa?”, pyeti Lekaj.
Ministrja Rizvanolli iu përgjigj duke thënë se pushteti ka bërë gjithçka se çka është mundur të ndërmerret.
“Kemi bërë gjithçka se çfarë është mundur të bëhet. Nëse kthehet edhe një herë vitin e kaluar, asnjë gjë s’do ta bëja më ndryshe. Nuk e di që ka një shtet në Evropë që ka mbetur i paprekur ose që e ka kaluar krizën mirë. Kërkesa e ka tejkaluar ofertën, çmimet kanë qenë të larta. Dikush më mirë dikush më keq. Varësisht prej kapaciteteve, në Kosovë kemi nevojë për import, kërkesa është rritur shumë për import sidomos në dimër. Kjo do të thotë që ka qenë e pashmangshme të jemi të prekur”, u përgjigj ministrja.