COVID-19 po vazhdon të jetë prezent edhe pas dy vjetësh kur u lajmëruan rastet e para të infektimit në gjithë botën. Ndonëse situata ishte e qetë, javëve të fundit në Kosovë, numri i të infektuarve ka pësuar rritje. Vetëm të enjten janë raportuar 871 raste të reja.
Ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi, kishte paralajmëruar se Komiteti për koordinim dhe vlerësimin e situatës epidemiologjike do të takohet për të diskutuar për masat e nevojshme që duhet të mirren. Por, ende pas tre javësh, MSH-ja nuk ka dalë me rekomandime të reja konform situatës.
Në një përgjigje për teve1.info, nga MSH-ja thonë se situata me koronavirus po përcillet në baza ditore, dhe se të gjitha trupat relevante janë në konsultime të vazhdueshme si dhe në gatishmëri.
Sipas tyre, ndryshimi i masave do të dalë sipas rekomandimeve të ekspertëve. MSH-ja thotë se pavarësisht numrit të të infektuarve në rritje, në aspektin klinik, ngarkesa spitalore është e ulët.
“Ndryshimi eventual i masave do të dalë nga rekomandimet e ekspertëve. Masat aktuale në fuqi rekomandojnë bartjen e maskës në mjedise të mbyllura dhe krahas kësaj vaksinimin. Ndonëse numri i rasteve është në rritje, në aspektin klinik, ngarkesa spitalore mbetet e ulët dhe sot sipas raporteve zyrtare, ka pasur 41 pacientë të shtrirë me COVID-19 në të gjitha spitalet ku trajtohen pacientët me COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së.
Të njëjtit kanë theksuar se çdo rritje e rasteve kërkon monitorim më të rreptë dhe ngritje të shkallës së kujdesit, teksa u kanë bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen.
“MSH u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen, sepse kjo është masa më efektive për parandalimin e përhapjes së sëmundjes, zhvillimit të formave të rënda të saj dhe vdekjeve. Gjithashtu, u rikujton të gjithëve se janë në fuqi masat e 30 prillit 2022, të cilat sado që nuk kanë shumë kufizime, ndihmojnë në mbajtjen e situatës më të qetë në kuptimin epidemiologjik. Sipas nevojës, Komisioni për vlerësim dhe koordinim lidhur me COVID-19 dhe Komisioni këshilldhënës mund të takohen dhe ta trajtojnë çdo situatë lidhur me COVID-19”, thuhet në përgjigjen e MSH-së për teve1.info
Thirrje e vazhdueshme për vaksinim po bëhet edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë (IKSHPK). Siç thonë ata, në bazë të numrit të madh të rasteve me COVID-19 kohëve të fundit, ka tendencë që numri të rritet në vijim.
Më 7 korrik, është miratuar vendimi për lejimin e vaksinimit anti-COVID edhe me dozën e katërt të grupmoshës së popullatës mbi 60-vjeçare, së paku katër muaj pas marrjes së dozës së tretë.
Ndërsa nga dje, të drejtë vaksinimi kanë edhe fëmijët e moshës 5 deri në 11 vjeç.
Qeveria e Kosovës ka miratuar masat lehtësuese kundër COVID-19 më 30 prill.
Sipas këtij vendimi, rekomandohet bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën në ambientet e mbyllura. Lehtësim të masave ka edhe sa i përket gastronomisë, bizneseve dhe aktiviteteve tjera që organizohen në Kosovë.
Ndryshe, të enjten janë raportuar 871 raste pozitive me COVID-19, ndërkaq janë dhënë 253 doza të vaksinës. Prej fillimit të vaksinimit, në të gjitha qytetet e Kosovës janë dhënë 1,831,959 doza të vaksinës.