Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kujtuar heroin Azem Galica në 98 vjetorin e vdekjes.
Krasniqi, përmes një postimi në Facebook, u shpeh se jeta dhe veprimtaria e Azem Galicës, në krye të kryengritësve shqiptarë, bashkë me gruan e tij Shotën është bërë shembull për gjenerata të tëra, duke e rikonfirmuar heroizmin e rezistencës në Drenicë.
“Në këtë ditë, para 98 vitesh, zemra e Azem Galicës pushoi së rrahuri. Sot e kujtojmë me nderim këtë atdhetar të shquar që ishte pjesë aktive e rezistencës kundër një perandorie që po shuhej dhe që u bë personaliteti qendror i epokës së rezistencës së parë kundër mbretërisë jugosllave.”, shkruan lideri i PDK-së.
Ai thotë se historia e qëndresës dhe luftës së Azem Galicës, mishëroi vrullin atdhetar ndër gjenerata dhe në secilën trevë shqiptare.
“Kjo trashëgimi historike natyrshëm vijoi me Shaban Polluzhën, Mehmet Gradicën, Rifat Berishën, Tahir Mehën e deri te Adem Jashari. Historia e qëndresës dhe luftës së Azem Galicës, mishëroi vrullin atdhetar ndër gjenerata dhe në secilën trevë shqiptare, deri në luftën çlirimtare të UÇK-së.”, shkruan Krasniqi.