Gazetari shqiptar në Beograd, Idro Seferi, ka thënë se kërkesa e ShBA-së për zbardhjen e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyqi në Serbi në vitin 1999, është e vazhdueshme, dhe se në Serbi mendohet ky rast është hendeku më i madh që ekziston në marrëdhëniet Serbi-ShBA,.
“Këtu madje, ambasadori që është në Beograd (Christopher Hill), para se të vinte në Beograd, ka thënë se në agjendën e tij si ambasador do të insistohet në sjelljen para drejtësisë të të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në ekzekutimin e tre vëllezërve Bytyqi”, tha Seferi në Info Magazine.
“Diplomacia amerikane është e tillë, që nëse asgjë tjetër, të paktën në çdo takim ndërkombëtar dhe bilateral, t’ia përmendin Serbisë rastin e vëllezërve Bytyqi, kjo është bërë në vazhdimësi si pjesë e politikës së ShBA-së”, shtoi tutje ai.
Seferi tha se vëllezërit Bytyqi janë arrestuar si shtetas amerikanë, dhe janë vrarë.
“Duke qenë që janë gjykuar në gjykatë, kjo është rasti ku konfirmohet pjesëmarrja shtetërore. Këtu dyshohet se ka qenë kryekëput organizim shtetëror ekzekutimi i tyre, dhe jo diçka që ka ndodhur jashtë dorës së shtetit”.