Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve sot qëndroi për vizitë ministri i Jashtëm i Polonisë dhe njëkohësisht kryesuesi i radhës i OSBE-së, Zbigniew Rau, i cili u prit në takim nga kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dhe kryeshefi i SKQZ-së, Burim Ahmetaj.
Fillimisht, kryetari i KQZ-së e falënderoi Rau për vizitën në KQZ dhe i uroi punë të mbarë me kryesimin e OSBE-së. Po ashtu, ai falënderoi Misionin e OSBE-së në Kosovë për mbështetjen e vazhdueshme për KQZ-në në fuqizimin institucional.
Nga ana e tij, ministri Rau, në fjalën e tij, theksoi se gjithmonë ka vend për përmirësimin e proceseve zgjedhore për të adresuar nevojat e reja, jo vetëm për të plotësuar ligjin, por edhe për t’i përshtatur praktikat politike.
“Kjo është përcaktuese për cilësinë e demokracisë”, tha ai.
Gjithashtu, Rau theksoi rëndësinë e rekomandimeve të vëzhguesve ndërkombëtar të zgjedhjeve dhe premtoi mbështetje të vazhdueshme të OSBE-së për reformat zgjedhore në Kosovë.
Kryesuesi i radhës i OSBE-së shoqërohej nga Ambasadori i Polonisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Wojciech Tycinski, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport dhe të tjerë.