​Kërkohet paraburgim për sulmin ndaj policëve në Leposaviq

Aktuale

​Kërkohet paraburgim për sulmin ndaj policëve në Leposaviq

Më: 17 korrik 2022 Në ora: 19:26
Ilustrim

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për të dyshuarin A.D., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprat penale “Vrasja në tentativë“, “Kalimi i paautorizuar i vendkalimeve kufitare ose i vijës kufitare”, si dhe “Kontrabandimi i mallrave”.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se i dyshuari A.D., me datë 16 korrik 2022 në fshatin Llazhin të komunës së Leposaviqit, me vullnet dhe vetëdije ka ndërmarrë veprime me të cilat ka rrezikuar jetën e katër zyrtarëve policorë të njësisë NJKNSH të Drejtorisë së Policisë Kufitare.

“Përderisa policët gjatë një pikë kontrolli kanë tentuar ta ndalojnë kamionin të cilin e ngiste i dyshuari A.D., i njëjti nuk i është përfillur urdhrave për të ndaluar kamionin, i cili gjatë ikjes me qëllim dy herë e godet veturën e policisë, ku edhe zyrtarët policorë si pasojë e goditjeve marrin lëndime trupore. Policët pasi arrijnë ta ndalin kamionin në fjalë i dyshuari A.D., ikë këmbë drejt malit, mirëpo policët pas një ndjekje arrijnë ta arrestojnë të njëjtin.

I dyshuari i dytë në këtë rast U.R., dyshohet se e ka lehtësuar rrugëtimin dhe ka luajtur rolin e personit i cili e ka njoftuar të dyshuarin A.D., për çdo pengesë të mundshme në rrugë, me çka ka rrezikuar dhe penguar zyrtarët policorë, e që është në hetim e sipër. Seanca për caktimin e paraburgimit për të ndaluarin A.D., pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë”, thuhet në njoftim.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat