Skema e re e punësimit: Murati prezanton kushtet për bizneset dhe punëkërkuesit

Aktuale

Skema e re e punësimit: Murati prezanton kushtet për bizneset dhe punëkërkuesit

Më: 18 korrik 2022 Në ora: 11:37
Hekuran Murati

Ministri i Fincancave, Hekuran Murati ka njoftuar sot kushtet që duhet të plotësojnë bizneset dhe punëkërkuesit në mënyrë që të përfitojnë nga skema “Qeveria për familjet”, të cilën e prezantoi kryeministri Albin Kurti të shtunën.

Kurti, të shtunën përmes një video-mesazhi, deklaroi se kjo skemë e re synon që çdo familje në Kosovë të ketë së paku një anëtar të punësuar.

Ndërkaq, në një konferencë për media të hënën, ministri Murati paraqiti të gjitha kriteret e vendosura nga qeveria lidhur me këtë masë.

“Për bizneset, në mënyrë që të përfitojnë 70 për qind të pagës bruto, kriteri është se nuk mund të punësojnë më shumë se 30 për qind të stafit ekzistues; pra, nëse një kompani ka dhjetë punëtorë mund t’i punësojë vetëm tre persona nga kjo masë”, deklaroi Murati.

“Për të përfituar nga kjo skemë duhet të regjistrohen në zyrat rajonale të Agjencisë së Punës dhe duhet të sjellin me vete kopjen e certifikatës së biznesit apo edhe të OJQ-së. Kopjen e leternjoftimit të pronarit, si dhe listën e punëtorëve të kompanisë”, deklaroi ministri.

Kritere janë vendosur edhe për punëkërkuesit, bëri të ditur ministri Murati.

“Në anën tjetër, mbajtësit e familjes, apo punëkërkuesit, duhet të jenë të moshës 18-64 vjeç, të mos kenë asnjë anëtar të bashkësisë familjare të punësuar, si dhe të regjistrohen si të papunë në zyrat rajonale të Agjencisë së Punësimit. Duhet të sjellin kopjen e leternjoftimit, një kopje të diplomës, apo certifikatës së nivelit më të lartë të edukimit që kanë, si dhe një CV”, deklaroi ai.

Qeveria është zotuar se përmes skemës së re të punësimit do ta subvencionojë deri në 70 për qind të pagës bruto të punëtorit, me vlerën e subvencionimit që kap maksimumin 300 euro, për gjashtë muaj me radhë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat