Valon Murati nga Bashkimi Kombëtar ka reaguar në lidhje me dekretin e kryeminsitrit të Shqipërisë Edi Rama, për shfuqizimin e raportit të Dick Marty-t.
Ai ka thënë se vizita e tij gjatë muajit qershor në Prishtinë, po vihet në veprim. Derisa, ai shton edhe pyetjen se “nisma diplomatike e Ramës për raportin e Dick Martit, nismë personale, apo pjesë e ndryshimit të dinamikave gjeopolitike si pasojë e agresionit rus në Ukrainë”?
Shkrimi në Facebook:
Nisma diplomatike e Ramës për raportin e Dick Martit, nismë personale, apo pjesë e ndryshimit të dinamikave gjeopolitike si pasojë e agresionit rus në Ukrainë?
Raporti i Dick Martit, e më pas krijimi i Dhomave të Specializuara përveçse ka dimensionin e politikave ruse dhe serbe (çdonjëra për hesap të vetë) në raport me Kosovën, shqiptarët dhe UÇK-në, e ka edhe një dimension të interesave dhe qasjes perëndimore në raport me Rusinë, Serbinë dhe dialogun në mes të Kosovës dhe Serbisë. Si qeveria e Kosovës ashtu edhe ajo e Shqipërisë kanë qenë krejtësisht të heshtura në kundërshtimin e këtyre proceseve, për më tepër ishin pjesë aktive (çdonjëra në mënyrën e vetë) edhe e miratimit të Raportit të Dick Martit e edhe e krijimit të Dhomave të Specializuara. Tani, nisma e Kuvendit dhe Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për ta goditur këtë raport mbi të cilën është ndërtuar mekanizmi i paprecedentë në botë i Dhomave të Specializuara e që realisht do të shtronte rrugën për denigrimin e këtij mekanizmi, e paralajmëruar prej Kryeministrit Edi Rama gjatë qëndrimit në Prishtinë në qershor të këtij viti, po vihet në veprim. Madje sot kryeministri Rama edhe në ditën historike për shtetin shqiptar, të fillimit të negociatave me BE-në e përmendi këtë çështje në Bruksel. Tani është interesant të dihet nëse kjo nismë e shtetit dhe qeverisë shqiptare është prapë po ashtu produkt i rrethanave dhe ndryshimit të kursit të politikës së SHBA-ve dhe partnerëve evropian në kontekstin e konfrontimit me Rusinë për Ukrainën dhe kudo tjetër në botë apo veç një nismë vetanake e Edi Ramës. Së paku mua, kjo e fundit po më duket pak e besueshme.