Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka kritikuar Qeverinë e Kosovës në lidhje me propozimin për projektligj për çmimet e produkteve bazë.
Sipas Hotit kështu nuk luftohet inflacioni.
Deputeti i LDK-së tha se inflacioni luftohet me politika fiskale dhe monetare.
Ai shtoi se kjo qasje e qeverisë për luftimin e inflacionit është jokushtetuese.
Postimi i plotë:
Sot, Qeveria në vend se të ndërmarrë veprime konkrete për të zbutur krizën nga inflacioni, propozon një projektligj.
E para, në asnjë vend demokratik dhe me ekonomi të tregut, inflacioni nuk mund të luftohet me ligje, por me politika fiskale dhe monetare.
E dyta, edhe pse kjo qasje bie në kundërshtim me parimet e ekonomisë së tregut, procedurat e miratimit të këtij ligji marrin së paku tre muaj. Pra, po flasim për muajin nëntor kur ky ligj në rastin më të mirë mund të hyj në fuqi.
E them me keqardhje se kjo qasje për luftimin e inflacionit është jokushtetuese dhe aspak profesionale, pasojat e së cilës do të vazhdojmë t’i bartim të gjithë. Me masat që kemi propozuar si LDK para tre muajsh, barra do të ishte shumë më e vogël për qytetarët.