Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, ka folur rreth problemeve që komunat po përballen në raport me nivelin qendror.
Sipas Ibrahimit, bashkëpunimi mes komunave dhe qeverisë aktuale nuk është i mirë, pasi sipas tij, këtë po e thonë drejtorët dhe kryetarët e komunave.
Ai tha se problemi kyç sa i përket investimeve kapitale është mosfunksionalizimi i bordit të Organit Shqyrtues i Prokurimit (OShP), ku thotë se në komunat e Kosovës janë qindra miliona euro të pa investuara për shkak të neglizhencës së nivelit qendror.
“Funksionalizimi i bordit të OShP-së është përgjegjësi e nivelit qendror. Ka shumë projekte që s’janë investuar në nivelin lokal për shkak të kësaj. Pra, ankesat janë në mosfunksionalizimin e OShP-së, ndonëse në parlament janë emëruar anëtarët, por në terren s’po shihet gjë”, është shprehur Ibrahimi në “Info Magazine”.
Tutje, ai tha se që nga fillimi i këtij viti e deri më tani, nga buxheti i Kosovës janë shpenzuar vetëm 10 deri në 15 për qind e parave të parapara për investime kapitale.
“Pra, vetëm 10 deri në 15 për qind, në këtë periudhë kur është dashur të bëhen investime maksimale sepse gjatë dimrit s’mund të kemi investime kapitale nëpër rrugë e gjëra të tjera”, është shprehur Ibrahimi.
Më tej, drejtori Ekzekutiv i AKK-së tha se janë në pritje të miratimit të Ligjit për Financa Lokale ku, sipas tij, është i paraparë granti i katërt për komunat.
“Nëse komunat janë kompetente për zhvillim ekonomik lokal, për ndërtimin e rrugëve lokale, ndriçimin publik, atëherë s’ka nevojë niveli qendror t’i ftojë kryetarët e komunave dhe t’u jap mundësi të granteve sepse aty po ka ndikime politike dhe projekte etnike. Për këtë arsye jemi në pritje të miratimit të Ligjit për Financa Lokale ku është i paraparë edhe granti i katërt”, tha Ibrahimi.