Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi deklaroi sot hapja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, së bashku me Maqedoninë e Veriut, shënon një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor drejt familjes së madhe evropiane.
Ai këto komente i bëri gjatë një takimi me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, të cilin e uroi për vendimin historik në hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.
“Ky hap shënon një vendim të rëndësishëm për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor drejt Bashkimit Evropian, të cilën Kosova e mbështet plotësisht dhe i gëzohet suksesit të Republikës së Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut”, tha Bislimi.
Në takim u tha se përshpejtimi i procesit të integrimit është jetësor për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Ambasadori Minxhozi tha se shpreson që së shpejti të ketë dhe hapa konkretë për liberalizimin e vizave për Kosovën.