Latif Gashi reagon pas arrestimit të djemve të tij: Çoni në burg nëse kanë bë telashe

Aktuale

Latif Gashi reagon pas arrestimit të djemve të tij: Çoni në burg nëse kanë bë telashe

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 17:09
Latif, Lindtrim dhe Fidan Gashi

U raportua të enjten për arrestimin Lindrtimit dhe Fidan Gashit, dy djemtë e ish-deputetit të Kuvendit të Kosovës, Latif Gashi, të dyshuar për një rrahje të mërkurën mbrëma në Prishtinë.

Ish-zëvendësshefi i Shërbimit Informativ të Kosovës (ShIK), lidhur me rastin e dy djemve të tij të përfshirë në një përleshje fizike në “Rrugën B” thotë se nëse të njëjtit kanë shkaktuar telashe, atëherë lë të shkojnë në burg.

Në anën tjetër, Gashi tha se veç pse janë djemtë e tij, ata po shkojnë në burg.

“Veç që janë djemtë e mi, ata shkojnë në burg. E sulmuesin e fajtorin në aksident që ia rrezikoi jetën, nipit e djalit i lëshojnë në procedurë të rregullt. Unë po pres çka po bojnë”, theksoi ai.

Megjithatë, ish-ligjvënësi i PDK-së u shpreh se djemtë e tij, Lindtrimi dhe Fidani nuk kanë pasur telashe me zyrtarët policorë. Por, shton se vetëm janë shtyrë me “duar pak”.

“Djali jem Fidani ka qenë në automjet bashkë me nipin tim. Papritmas një veturë i ka dalë nga parkingu në rrugë këtij, pa shiku anash dhe kanë shkaktua një aksident komunikacioni. Derisa ka ardhë është policia, asnjë telashe s’e kanë pasë. Në prezencë të policisë, djali tjetër e ka thirrë edhe dikë, një vëlla të tijin . Aty pari, ka rastisë edhe djali imi tjetër bashkë me gru e fëmijë”, tha Gashi.

“Në prezencë të policëve, ata djemtë e kanë nisë fërken edhe janë shty aty, edhe janë ndalu në procedurë të rregullt. Njerëzve që janë interesu iu kam thanë, nëse kanë bo telashe për me i çu në burg, çoni. Një e di, që telashe me policët s’kanë pasë. Janë shty me duar pak”.

Gashi, theksoi se sot ka pirë kafe me djemtë që janë përfshirë në këtë incident, ndërsa tregoi se ata e kanë pranuar që janë fajtor.

“Mua sot më ka thirre familja e dy djemve tjerë. Kam pi kafe me ta, me djemtë që janë të përfshirë e me axhë të tyre. Ata janë të shqetësun, e pranojnë që janë fajtor, që e kanë rreziku jetën e djalit e nipit. E pranojnë që nuk janë sjellë mirë. Unë jam me i minumizu këto ngjarje, jo veç në familjen time por edhe të tjera. Për dy familjet, ky është i harruar si problem”, thotë Gashi

“Djemtë janë të ndalun. Qata dy djem i kam, qata i kanë ndalë. Le t’i ndain ta dinë se nuk bën me bo probleme, pavarësisht se a janë fajtor a jo, është dashtë me iu ikë telasheve. Nuk i kamë pa djemtë ende, nuk e di saktë se cka ka ndodhë”, sqaroi Gashi.

Media të enjten ka kontaktuar me avokatin e njërit prej djemve të Latif Gashit, Lindrimit.

Ai teksa e konfirmoi ndalimin policor për ta, ka thënë se motivet e përleshjes në të cilën dyshohet se janë përfshirë dy djemtë e Latif Gashit, janë ende të paqarta.

Avokati Rudari ka thënë se prokuroria ende nuk ka caktuar masë ndalimi ndaj klientit të tij, Lundtrim Gashi.

Përleshjen te Rruga B, të cilën u përfshin katër persona, e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, në një deklaratë për media të mërkurën.

“Nga informatat e para bëhet e ditur se në njërin nga aksidentet janë përfshirë dy vetura, ndërkaq për rrjedhojë disa persona janë përfshirë në rrahje pas aksidentit. Policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka shoqëruar për në stacion dy persona”, ka thënë Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat