Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot tha në Kuvendin e Shqipërisë se kushdo që e largon Thaçin nga historia e UÇK-së ‘i ngul një thikë në fyt’ Kosovës dhe popullit të saj.
“Kush heq Hashim Thaçin nga historia e asaj lëvizje thjeshte dhe vetëm i ngul një thikë në fyt Kosovës dhe i ngul një thikë mu në fyt popullit të Kosovës dhe shkel mbi gjakun dhe pështyn mbi kockat e gjithë heronjve dhe dëshmorëve të UÇK-së. Nuk i takon njeriu këtu të hapi gojën për Hashim Thacin, aq më tepër sot, nuk jeni duke e kritikuar presidentin e Kosovës, jemi duke folur për një gjyq ku është ngritur një akuzë që shkon përtej personit. Sa për drejtësinë që ju e keni merak, drejtësia ka qenë shqetësim i juaj, kredo e juaj, lufta e juaj, prandaj përfunduat që udhëheqësin e juaj e keni nongrata, sepse jeni marrë me drejtësinë”, tha Rama.
Rama tha se “Adem Jashari, Hashim Thaçi dhe gjithë të tjerët, duke nisur nga Ibrahim Rugova fillimisht, krijuan premisat, por pa ata, të cilëve ua tregoni Sorrosin e gomarllëqe më të mëdha që mund të pjelli mendja e një bajraku të izoluar, nuk bëhej Kosova”.
Kryeministri i Shqipërisë vazhdoi me fjalët e rënda ndaj PD-së, duke iu thënë se ata ‘luftojnë me gjakun, viktimat, heronjt e të tjerëve”.
“Ju jeni nga ata që luftoni me gjakun e të tjerëve, e keni treguar me këtë, ju jeni nga ata që luftoni me viktimat e të tjerëve, ju jeni ata që luftoni me dëshmorët e të tjerëve, ju jeni ata që luftoni me heronjt e të tjerëve, ju jeni ata që kujtoni se luftoni duke vënë lule te monumenti i Adem Jasharit, duke i ngulur thikën Hashim Thacit sa herë iu ka dhënë mundësia, çfarë luftëtare jeni ju, cfarë lufte keni bërë ju? E gjithë lufta juaj ka përfunduar me një lule në ballë të padëshirueshëm”, u shpreh Rama.
Pas këtij fjalimi të Edi Ramës, ka reaguar ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari.
Ai thotë se qëllimi i Aleksandër Vuçiqit është që përmes Edi Ramës të rrisin reitingun e Hashim Thaçit të rënë për toke.
Sipas tij, sot atyre iu duhet Thaçi për të nda Kosovën dhe për të ia bashkuar Open Ballkanit.
“Patriotizmi me bateria i Edi Ramës sot kinse për UÇK-në vetëm maskimi i Serbisë të madhe Open Balkanit.
Qëllimi i Vuçiqit që përmes Edi Ramës po tentojnë ta ngrisin reitingun e Hashim Thaçit që i ka rënë për toke nga humbja e pushtetit, ju kuptone vet pse çka iu duhet sot Hashim Thaçi përveç të ndaj Kosovën dhe pjesën tjetër ta fut në Open Ballkan në Serbinë e Madhe apo Rusinë e Ballkanit!”, thekson Naim Miftari.