Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tani deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e LDK-së, ka reaguar pas miratimit në Kuvend të Projektligjit për Marrëveshjen e Bashkëfinancimit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.
Ai ka thënë se Marrëveshja e Uashingtonit e ka paraparë studimin e fizibilitetit për hekurudhën Prishtinë-Durrës me mundësi financimi nga fondet amerikane.
“Këta që janë duke “qeverisur” tani e kanë sharë këtë pikë të marrëveshjes dhe e kanë kualifikuar si tradhti, se gjoja kjo hekurudhë i siguron qasje fqinjit verior në Portin e Durrësit. Ndërsa, sot këta mashtrues e sjellin për ratifikim në Kuvend marrëveshjen për këtë projekt për ta financuar bashkërisht me Shqipërinë”, ka shkruar Hoti në Facebook.
“Është lajm i mirë që po realizohet ky projekt, por kjo qasje tregon se këta kanë mashtruar qytetarët për këtë projekt dhe në të gjitha qëndrimet e tyre”, ka shtuar ai.