ZRRE: Qeveria s’ndau subvencionet, po kërkohet shqyrtim i jashtëzakonshëm i tarifave të rrymës

Aktuale

ZRRE: Qeveria s’ndau subvencionet, po kërkohet shqyrtim i jashtëzakonshëm i tarifave të rrymës

Më: 22 korrik 2022 Në ora: 12:26
Qeveria e Kosovës

Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka treguar se furnizuesi i energjisë elektrike ka paraqitur kërkesë zyrtare pranë këtij institucioni për shqyrtimin e jashtëzakonshëm të tarifave të energjisë elektrike, meqë Qeveria e Kosovës nuk ka realizuar subvencionimin siç ishte zotuar.

Një kërkesë e tillë është bërë pas trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.

ZRRE-ja në komunikatë thotë se brenda 20 ditëve punë presin arsyetim nga FSHU-ja për këtë kërkesë, dhe se e njëjta do të shqyrtohet dhe pastaj do të hapet shqyrtimi i jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët.

Komunikata e plotë:

ZRrE do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike.

Më 19 korrik 2022, Furnizuesi i energjisë elektrike, i ngarkuar me obligimin e shërbimit publik si Furnizues me Shërbim Universal (FShU/KESCO), ka paraqitur kërkesë zyrtare tek ZRrE për hapjen e Shqyrtimit të jashtëzakonshëm të Të Hyrave të Lejuara Maksimale për FShU. FShU, kërkesën e tij e mbështetë në operimin nën kosto, si rezultat i mungesës së subvencionit të zotuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës dhe trendit në rritje të çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike.

Nga momenti i paraqitjes së kërkesës për Shqyrtim të jashtëzakonshëm, FSHU brenda 20 ditëve të punës duhet të paraqes arsyeshmëri të detajuar bashkë me kalkulimet e ndikimit financiar. Pas pranimit të arsyeshmërisë së detajuar, ZRrE do të shqyrtojë kërkesën e FSHU-së për të parë nëse tejkalohet pragu i materialitetit prej 5% i të hyrave të FSHU-së dhe plotësohen kushtet e Rregullës për të Hyrat e FSHU-së që të hapet Shqyrtimi i Jashtëzakonshëm i tarifave me pakicë për konsumatorët e rregulluar të energjisë elektrike.

ZRrE do të mbajë të njoftuar publikun në lidhje me veprimet që do të ndërmerren.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat