Ish-kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha, është shpallur non grata edhe nga Britania e Madhe.
Lajmin e ka konfirmuar vet Berisha, në një konferencë për media sot.
“Disa orë pasi Edi Rama dha lajmin për vendimin që do të merrte qeveria e Mbretëisë së Bashkuar , jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në Mbretëri të Bashkuar me arsyetimin:
-Se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, dhe
-Për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese”, ka deklaruar Berisha.
Sipas profesorit universitar dhe njohësit të çështjeve politike, vendimin për non-gratën e Berishës, fillimisht e ka marrë kryeministri Edi Rama, përcjell Bota sot.
“Sa kohë që non-gratat për Berishën i shpall në fillim kreu i organizatës kriminale, Edi Rama, aq kohë vendime të tilla nuk i merr njeri seriozisht!”, ka shkruar Bytyçi në një postim në Facebook.
Ai ka thënë se shpallja non-grata e Berishës, ka një mesazh.
“Ka vetëm një mesazh në shpalljen e Berishës non-grata: Nuk duhet ta duash atdheun aq sa te pengosh aleatët të realizojnë planet e tyre!”, ka shtuar profesori.
Berisha më herët është shpallur non-grata edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës./BS