Ish-deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës Melihate Tërmkolli, ka thënë se Kuvendi i Shqipërisë, ka bërë mirë që e ka miratuar Rezolutën kundër raportit të Dick Marty-t.
Por, sipas saj, kryeministri Edi Rama, tregoi edhe një herë se nuk ka lidhje me Kosovën, por me “vëllain” e tij Aleksandar Vuçiq, kundër Kosovës, përcjell Bota sot.
Sipas Tërmkollit, Kosova e ka kuptuar lojën që po e luan Rama me gjakun e shqiptarëve.
Ajo i ka kujtuar kryeministrit shqiptar se si kishte penguar miratimin e Rezolutës për dënimin e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë.
Reagimi i saj në Facebook:
Kuvendi i Shqipërisë, qoftë edhe për efekte krejt të vogla politike, bëri mirë që e miratoi Rezolutën për “rishikimin”e Raportit të Dick Marty-t.
Në fakt ajo që u zhvillua në Kuvendin e Shqipërisë nga ana e Kryeministrit Edi Rama, më së paku ka të bëjë me këtë rezolutë. Ai tregoi edhe një herë se nuk ka asnjë lloj lidhje me Kosovën dhe interesat e saj. E vetmja lidhje e tij është miqësia e “vëllazërimi” i tij me Vuçiq-in dhe Serbinë kundër Kosovës, madje edhe kundër vetë Shqipërisë me projektin e “Open Balkans” dhe forma tjera. Edi Rama dëshmoi edhe kësaj here se nuk bën asnjë veprim pa marrëveshje me Vuçiqin, sidomos në raport me Kosovën. Ai e pengoi miratimin e Rezolutës për dënimin e krimeve dhe gjenocidit serb në Kosovë. Kjo rezolutë duhej të miratohej fillimisht ose bashkë me atë për Dick Marty-n. Edi Rama nuk e bën këtë, sepse me të sheshohet edhe një herë e vërteta e Serbisë për krimet e gjenocidin e saj kundër shqiptarëve e Kosovës. Pa miratimin e kësaj rezolute, ajo për Dick Marty-n mbetet me pak ose aspak vlerë.
Loja e Edi Ramës me tragjedinë dhe gjakun e shqiptarëve po vazhdon ndonëse Kosova kaherë e ka kuptuar këtë lojë. Fjalimi i tij dje në Kuvendin e Shqipërisë prej njeriu të shpërfytyruar, me fjalorin më banal edhe për një qytetar të rëndomtë fliste më shumë për 7 korrikun e Shqipërisë se sa për Rezolutën për Dick Marty-n!