Zjarret përfshijnë disa fshatra në Mitrovicë - Policia, FSK-ja dhe KFOR-i u dalin në ndihmë banorëve

Aktuale

Zjarret përfshijnë disa fshatra në Mitrovicë - Policia, FSK-ja dhe KFOR-i u dalin në ndihmë banorëve

Më: 23 korrik 2022 Në ora: 18:47
KFOR-i duke asistuar në shuarjen e zjarreve në rajonin e Rugovës. 2 gusht 2021.

Disa fshatra në Mitrovicën e Jugut janë kapluar nga zjarri dhe zjarrfikësit bashkë me Policinë e Kosovës, Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe KFOR-in kanë janë në vendngjarje.

Këtë e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë, Fexhrije Pllana, zëdhënëse e Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës së Jugut.

“Sot rreth orës 15:08 është raportuar për një zjarr në fshatin Cërnushë. Zjarri është përhapur në fshatin Kqiq, te pishat dhe fshatin Zasellë. Njësitë policore, zjarrfikësit, FSK dhe zjarrfikësit e KFOR-i janë në vendngjarje duke u munduar ta lokalizojnë zjarrin dhe ne rast nevoje edhe evakuimin e banoreve”, tha ajo.

Ndërsa zëvendësdrejtori i Policisë për rajonin e veriut, Besim Hoti, tha për Radion Evropa e Lirë se zjarret në Mitrovicën e Veriut nuk kanë qenë të mëdha dhe janë shuar shpejt.

“Nuk kanë qenë zjarre klasike. Janë këso zjarre qe po i djegin këto fushat, kanë qenë në fshatin Suhadoll, por i kanë shuar zjarrfikësit shpejt. S’ka më”, tha ai.

Evropa po përballet me zjarre si pasojë e valës së të nxehtit që po mbretëron ditëve të fundit.

Zjarret e mëdha në Evropë janë bërë më të shpeshta, po shkaktojnë më shumë dëme dhe po bëhen më të vështira për t’u shuar.

Francë , Spanja, Sllovenia, Kroacia dhe Greqia janë disa nga vendet që po përballen me zjarre./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat