PK: Gjithçka gati për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftime

Aktuale

PK: Gjithçka gati për zbatimin e reciprocitetit me Serbinë për letërnjoftime

Më: 24 korrik 2022 Në ora: 16:40
Foto ilustrim

Policia e Kosovës, bazuar në vendimin e Qeverisë  i cili ka të bëjë me kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore në zbatim të këtij vendimi.

Ashtu siç parashihet me vendim, nga 01 gusht 2022 çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror me dokument të identifikimit personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset në pikë-kalimet kufitare me një dokument hyrje/dalje që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumentit të tillë.

Dokumenti hyrje/dalje do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

“Me qëllim të zbatimit të vendimit, mundësimit të pajisjes më të shpejtë me dokument hyrje/dalje për qytetarët që kanë nevojë, shmangies së pritjeve dhe mundësimit të qarkullimit më të lehtë kufitar, Policia e Kosovës ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme policore, si në aspektin e burimeve njerëzore, po ashtu edhe në ato teknike e logjistike”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës thotë se sipas detyrës do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet kompetente në interes të zbatimit të vendimit dhe të të gjithë qytetarëve pa dallime.

PAJISJA ME DOKUMENTIN PËR HYRJE-DALJE

Çdo person që paraqitet për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës nga data 1 gusht 2022 me dokument identifikimi personal të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, do të pajiset me Dokument hyrje/dalje.

Dokumenti për hyrje/dalje do të zëvendësojë dokumentin e identifikimit personal gjatë hyrjes dhe qarkullimit në territorin e Republikës së Kosovës, si dhe për shfrytëzim në institucionet shtetërore të Republikës së Kosovës.

Dokumenti për hyrje/dalje do të lëshohet në të gjitha pikat e kalimit kufitar tokësor dhe ajror.

Dokumenti për hyrje/dalje ka afat vlefshmërie nëntëdhjetë (90) ditë.

Me dokument për hyrje/dalje pajisen edhe personat e moshës nën 16 vjet, të cilët nuk posedojnë dokument identifikimi, me kusht që të kenë me vete certifikatën e lindjes me fotografi.

Ndryshe, Qeveria e Kosovës  muajin e kaluar ka marrë vendim që të aplikojë reciprocitet ndaj Serbisë për letërnjoftim.

Sipas vendimit, qytetarët serb që hyjnë në Kosovë do të pajisen me një fletë-deklarim që përkohësisht e zëvendëson përdorimin e dokumenteve zyrtare të identifikimit.

Fletë-deklarimi do të krijojë bazë për qarkullim në territorin e Republikës së Kosovës dhe për shfrytëzim brenda institucioneve shtetërore.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat