Shkrimtari Çun Lajçi ka reaguar pas vizitës së presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti në Amerikë, të cilët së bashku kanë takuar sekretarin amerikan Antony Blinken.
Ai Vjosa Osmanin e krahason me Madeline Albright, duke thënë se s’ka si të devijojë Kosova nga rruga amerikane.
Postimi në Facebook:
E kishim nji dadë e kemi nji hallë!
E kemi dashtë nji zonjë n'kohë lufte e prej dashnisë së madhe e rrespektit deri n'qiell, tanë Kosova e quejti Dadë. Ushtarët n'fronte, e thërrisnin edhe Hallë. Halla Ollbrajt, thojshin, po e don Hashimin, si djalin e vet, dhe krejtë e lutshin Zotin, ditë-natë, për shnetën e saj!
E kemi Dadën Ollbrajt, që nuk e len Hashimin me gabua. Hallën e kemi, që i kallxon Amerikës, se jo vetëm Rugova e Hashimi, po krejt populli, edhe studenti me flokët kaçurrela, që i ndihmonte Demaçit me amerikançën e vet, janë e do t'jenë, punojnë e do t'punojnë për Amerikën, e s'ka se si të devijojmë nga rruga pro Atlantike, kur e kemi nji zojë t'madhe që e don Hashimin si birin e vet!
Dhe ashtu ishte! Dhe ashtu doli e kur përfundoi takimi në Rambuje, UÇK-ja e populli thirrën: Rrnoftë Amerika, shlirimtari ynë. Zoti e ruejt Dadën e madhe Ollbrajt!
Unë, me nji zemër t'ligë,mbramë, kur e pashë Vjosën me Albinin, n'zyrën e Sekretarit të shtetit, thirra:
O Zoti ti dhashtë edhe 100 vjet, oj halla jonë, oj dada jonë, oj Presidente Kosove, që e merr kahdo që shkon, Albinin, dhe i tregon Vashingtonit, se ne ishim, jemi e do t'jemi shteti ma i ri n'flamurin e saj. Jemi edhe nji yll ma shumë, n'fushat e gjakut amerikan!
Po flinin njerëzit, e frrigohesha me trazua Shëngjinin, se pata me piskatë:
Kush ju tha se Albinin s'e don Blinkeni e s'mundet me fluturua për Vashington?
Kush ju tha, se ai s'asht proamerikan?
Deri kur do t'jemi e keqja e vetës, siç thoshte At Zef Pëllumbi
Deri kur do të sundoi smira, inati, interesi e lakmia, o shqiptarë?
Kur tha Blinkeni: Iu përshendet z. Bajden, e kur Ollbrajtja shqiptare, halla, dada, kaçurrelja Presidente e krejt shqiptarëve, foli, unë i hudha ilaçet e zemrës e thashë:
Ky asht Agroni e kjo asht Teuta, e ju shqiptarë, që jeni e zezja e shqiptarit, pëlcitshit sonte bashkë me zemrën time, se kurrë s'e deshtët njeriun e mirë, të ditun e pa hile!
Po, Zef Pëllumbi. E keqja ma e madhe e shqiptarit, asht vet shqiptari!
Amin!
Nga Shëgjini!