Mes shumë tensioneve ratifikohet marrëveshja 236-milionëshe me MCC-në – opozita kritikon qeverinë!

Aktuale

Mes shumë tensioneve ratifikohet marrëveshja 236-milionëshe me MCC-në – opozita kritikon qeverinë!

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 12:07 Përditësuar në ora: 12:03 më 28.07.2022
Kuvendi i Kosovës

Zhurmë në Kuvend, Saranda Bogujevci i qorton deputetët, Bekim Haxhiu e falënderon

Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci ua dha një vërejtje deputetëve, të cilët po flisnin në pjesën e fundit të sallës gjatë seancës së sotme plenare.

Ajo tha se po dëgjohet zhurmë e madhe nga bisedat e tyre dhe i luti që të shkojnë në bufe.

“I kisha lutë deputetët që.. Është një zhurmë shumë e madhe prej muhabeteve që po bëhen mes deputetëve. Ju kisha lutë pjesës mbrapa që jeni, të shkoni ndoshta në pjesën e bufesë të vazhdoni me bisedën. S’po dëgjohet asgjë”, tha Bogujevci.

Për këtë, deputeti Bekim Haxhiu, i cili po fliste, e falënderoi Bogujevcin.

“Faleminderit kryetare për fjalën dhe për vërejtjen që ua bëre kolegëve”, tha Haxhiu.

Murati – Lushtakut: Nëse keni informacion për punëtorë të paformalizuar në biznese të mëdha, na informoni

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Mergim Lushtaku, e ka pyetur ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati se çfarë kanë bërë si Qeveri në formalizimin e punëtorëve nëpër biznese të mëdha.

Murati ia kthehu se “Administrata Tatimore e Kosovës është duke e monitoruar joformalizimin”, dhe që “si qeveri janë të përkushtuar në këtë drejtim”.

“Nëse keni ndonjë informacion për ndonjë biznes të madh që ka punëtorë të paformalizuar, atëherë na njoftoni”.

Po ashtu Murati ka thënë se formalizmi i punëtorëve përpos si përfitim për punëtorët është e mirë edhe për vetë bizneset.

Kadrijaj, Latifit: Vizitoje QKUK-në, stafi po punon mbi 40 orë në javë pa kompensime

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka kërkuar nga ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, të vizitojë QKUK-në, pasi siç tha ajo, ka informata të brendshme se ka punëtorë të mesëm që punojnë më shumë se 40 orë në javë dhe nuk iu kompensohen.

Latifi i është përgjigjur Kadrijajt me një informata nga ShSKUK-së të ditës së sotme, duke i thënë se është rregulluar mbajtja e kujdestarive dhe ndërrimit të natës.

“Informatë nga ShSKUK. Duke u bazuar në ligjin e punës, në bazë të kontratës kolektive sektoriale e ka rregulluar mbajtjen e kujdestarive dhe ndërrimit të natës dhe në këtë bazë është e rregulluar edhe pagesa për kujdestari dhe ndërrimit të natës. Është e saktë që stafi infermier që punon me ndërrime nga 12 orë, mbajnë 192 orë për muaj, por edhe pagesa e orëve të punës më tepër se orari i rregullt është kalkuluar dhe paguhet së bashku me ndërrimet e natës”, tha ministri.

Quni: Gërvalla i shkroi e-mail dhe e ktheu diplomatin nga Londra për 24 orë

Deputeti i LDK-së, Anton Quni tha në Kuvendin e Kosovës se ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e kishte shkelur ligjin duke e shkarkaur diplomatin Viskont Jakupi dhe duke e kthyer nga Londra brenda 24 orëve. Jakupi për këtë ka nisur një betejë ligjore ndaj MPJ-së.

Quni shpjegoi në Kuvend se si Jakupi ishte vendosur në Londër dhe se si ishte urdhëruar të kthehej në Kosovë me një vendim të Gërvallës, të cilin ai e quan arbitrar, të çuditshëm dhe skandaloz.

Sipas Qunit, ai fillimisht u përball me presionin për ta lëshuar hotelin dhe për ta gjetur një banesë, për të cilën ishin angazhuar stafi i ambasadës.

“Në fund të muajit gusht të vitit 2021, diplomati i karrierës, Viskont Jakupi, me gradën sekretar i parë, nga komisioni i rrotacionit i MPJ-së, ishte rekomanduar për të shërbyer në Ambasadën e Kosovës në Britaninë e Madhe. Më 11 tetor 2021, ai bashkë me familjen e tij udhëtoi për në Londër duke u vendosur në një hotel të rezervuar nga ambasada dhe menjëherë me kolegër ambasadës kishin filluar të kërkojnë banesë. Por duke ditur çmimet e larta të qirasë në Londër, qysh në fillim nënkuptohej se me shumën sa lejohet nga Ministria, ishte e pamundur të gjendej një banesë adekuate. Në këtë situatë, diplomati Jakupi u përball edhe me presion që ta lëshonte sa më shpejt hotelin ku ishte vendosur. Ndërkohë, përgjatë kësaj periudhe, ambasada përmes një agjencioni, kishte gjetur një banesë në një zonë që nuk preferohet për banim për diplomatë për shkaqe sigurie”, tha ai.

Quni tha se për shkak të çmimit, presionit për ta lëshuar hotelin dhe sistemimit të familjes e fëmijëve, ishte pajtuar me përzgjedhjen e ambasadës.

“Komisioni i krijuar nga ambasada ia dërgon kërkesën sekretares për aprovim, mirëpo përgjigjja ishte që ai duhet ta paguajë vetë një pjesë të qirasë. Ndërkohë e ngarkuara me punë në Ambasadën e Kosovës në Londër i shkruan ministres dhe kërkon që ajo të ndërhyjë. Përgjigjja e ministres përmes sekretares ishte e prerë: Nuk lejohet assesi, është shkelje”, tha Quni.

Nënkryetari i LDK-së thotë se Gërvalla ia kishte kërkuar personalisht Jakupit adresën e banesës në të cilën s’ishte vendosur ende. Pasi e kishte marrë përgjigjen, e kishte shkarkuar.

“Më 10 nëntor, ministrja Gërvalla i shkruan e-mail diplomatit Jakupi duke ia kërkuar adresën e banesës së cilën ende nuk e kishte marrë. Ashtu siç ia tregojnë stafi, ai i përgjigjet ministres Gërvalla. Ministrja merr një vendim arbitrar, të çuditshëm dhe skandaloz, duke lëshuar vendimin për tërheqje të menjëhershme, që brenda 24 orëve Viskont Jakupi të kthehet në Kosovë”, tha Quni.

Ai tha se pas kësaj, diplomati Jakupi u kthye në Kosovë me “shumë komplikime”.

“Pas kthimit, atij i sqarohet se adresa e banesës ka qenë e pasaktë. Ai, përveç procesit ligjor, bën ankesë në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës ku dy herë fiton betejën ndaj ministres”, tha Quni.

Deputeti tha se vendimi i Gërvallës ishte konsideruar i jashtëligjshëm, pasi Këshilli kishte thënë se ajo nuk ka kompetencë t’i tërheq diplomatët në atë mënyrë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat