Dënohet për ryshfet me 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë ish-drejtori i KPM-së

Aktuale

Dënohet për ryshfet me 140 ditë burgim efektiv dhe 12 mijë euro gjobë ish-drejtori i KPM-së

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 15:02
Foto nga gjykata

Arben Bilalli, ish-drejtor i Administratës dhe Financave në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), është dënuar me 140 ditë burgim dhe 12 mijë euro gjobë për veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Bilalli po akuzohej bashkë me ish-kryeshefin e KPM-së, Luan Latfi se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Marrja e ryshfetit”.

Në seancën e mbajtur më datë 25 korrik 2022, Bilalli kishte pranuar fajësinë, dhe ishte veçuar procedura ndaj tij, ndërsa Latifi ishte deklaruar i pafajshëm.

Aktgjykimi ndaj të akuzuarit Bilalli u shpall të enjten nga gjyqtari Alban Ajvazi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sa i përket dënimit me burgim prej 140 ditëve, gjyqtari Ajvazi tha se të akuzuarit Bilalli do t’i llogaritet edhe koha e mbajtur në paraburgim dhe koha të cilën e ka kaluar në arrest shtëpiak, i cili dënim do të ekzekutohet pas shpalljes së këtij aktgjykimi.

Ndërsa, nëse i njëjti nuk mund ta paguaj gjobën prej 12 mijë euro, dënimi me gjobë do t’i zëvendësohet me dënim me burgim, ku do t’i llogaritet një ditë burgim për 20 euro.

Gjithashtu të njëjtit në emër të dënimit plotësues, i ndalohet ushtrimi i funksionit publik në administratë publike ose shërbime publike në kohëzgjatje prej 3 vitesh pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Po ashtu, i akuzuari Bilalli është obliguar të paguajë nga 50 euro për paushallin gjyqësor dhe fondin për viktimat e krimit.

Ndërsa, palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.

Pala e pakënaqur, ndaj këtij vendimi ka të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh nga dita e marrjes ë kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, paraprakisht në të njëjtën ditë është dhënë edhe fjala përfundimtare, ku prokurorja Merrushe Llugiqi, ndër të tjera i ka propozuar gjykatës që të akuzuarin Bilalli ta shpall fajtor dhe të njëjtit t’i shpall dënim plotësues.

“I propozoj gjykatës të njëjtit ta shpall fajtor për veprën penale të kryer dhe t’i shqiptohet dënim plotësues ashtu siç është propozuar në aktakuzë”, ka deklaruar prokurorja Llugiqi.

Edhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Naim Rudari ka propozuar gjykatës që Bilallit t’i shpall dënim sipas politikës ndëshkimore duke u bazuar në udhëzuesin për politika ndëshkimore të Gjykatës Supreme.

“Në këtë rast kërkojmë nga gjykata që të njëjtit t’i shqiptoj një dënim sipas politikës ndëshkimore të paraparë me ligj, duke u bazuar gjithmonë në udhëzuesin për politika ndëshkimore të rekomanduar nga Gjykata Supreme”, ka thënë i njëjti.

Ndërsa, në anën tjetër mbrojtësi i të akuzuarit Bilalli, avokati Florent Latifaj tha se i mbrojturi i tij ka pranuar fajësinë edhe në fazën e hetimeve dhe gjithashtu ka qenë bashkëpunues me organet e ndjekjes.

“Siç e dini i mbrojturi im Arben Bilalli edhe në seancën fillestare por edhe në seancën e parë të shqyrtimit gjyqësor ka pranuar fajësinë. Siç e dini i njëjti edhe gjatë fazës së hetimeve ka pranuar fajësinë, i njëjti ka qenë bashkëpunues me organet e ndjekjes duke pranuar të gjitha veprimet e tij, inkriminim e tij në këtë vepër penale dhe sjelljen e tij pas kryerjes së veprës penale”, ka thënë avokati Latifaj.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat