Gashi paralajmëroi rrëzimin e Qeverisë, Çitaku tregon a i kanë numrat: Atë mund ta bëjë vetëm ky lider

Aktuale

Gashi paralajmëroi rrëzimin e Qeverisë, Çitaku tregon a i kanë numrat: Atë mund ta bëjë vetëm ky lider

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 20:24
Vlora Çitaku

Nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku ka deklaruar se PDK-ja është e gatshme për zgjedhjet e reja parlamentare kurdo që mbahen ato.

Një deklaratë e tillë pason pas paralajmërimeve të fundit nga kampi i LDK-së, veçanërisht prej shefit të ligjvënësve të këtij subjekti politik, Arben Gashi, i cili të mërkurën mbrëma tha se Qeveria Kurti 2 do të bie gjatë vjeshtës.

Megjithatë, Çitaku theksoi se partitë opozitare nuk i kanë tamam numrat që ta rrëzojnë kryeministrin Albin Kurti nga pushteti.

Por, shtoi se ekzekutivin mund ta rrëzojë vetëm shefi i saj, Albin Kurti.

“Aktualisht Qeverinë Kurti mund ta rrëzojë vetëm Albin Kurti. Ne si Parti Demokratike e Kosovës jemi të gatshëm të shkojmë në zgjedhje kurdo që mbahen ato”, theksoi ajo të enjten.

“Çfarëdo deklarate tjetër do të ishte ose dëshirë ose spekulim. Opozita tash nuk i ka numrat që ta rrëzojë qeverinë”, theksoi ish-ambasadorja e Kosovës në ShBA, teksa paralajmëroi se për të ardhmen nuk i dihet se si mund të rrjedhin gjërat, rrjedhimit tek një mocion i mos-besimit apo jo ndaj Qeverisë Kurti.

Të enjten, po ashtu, shefja e deputetëve të partisë në pushtet, Mimoza Kusari-Lila iu kundërpërgjigj homologut të saj nga Lidhja Demokratike, Arben Gashi, duke e quajtur “të pavlefshme” deklaratën e tij pas paralajmërimit për prishjen e koalicionit qeverisës.

Gashi i LDK-së tha se janë të paktën tetë deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje të cilët dëshirojnë t’i bashkëngjitën Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Kusari-Lila ka thënë se nuk ka asnjë informatë të kësaj natyre, derisa ka thënë se nuk ka pasur shprehje të vullnetit e as pakënaqësi nga deputetët e LVV-së.

“Skam asnjë informatë të asaj natyre, nuk ka pasur as shprehje të vullnetit as pakënaqësi të dikujt në grup për me qenë kjo deklaratë e vlefshme, nga ana jonë pra situate është në rregull”, ka thënë Kusari-Lila.

Sidoqoftë, dje pati përplasje ndërmjet deputetes Duda Balje dhe atij të LVV-së Armend Muja, pasi që ky i fundit ka kërkuar përjashtimin e deputetes Balje nga Komisioni Hetimor për Energjinë.

E për ta sqaruar tërë situatën e krijuar, deputetja Balje ka thënë të mërkurën se po e pret kryeministrin Albin Kurti që të kthehet nga ShBA-ja për të diskutuar çështjen e koalicionit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat