Partia ‘Alternativa’ dje ka shënuar pesëvjetorin e themelimit.
Në ndejën e organizuar nga kryetarja e kësaj partie, Mimoza Kusari-Lila, morën pjesë kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministrat Xhelal Sveçla, Albulena Haxhiu, Faton Peci, Elbert Krasniqi, Rozeta Hajdari, Liburn Aliu, si dhe disa personalitete të tjera.
Në fjalën e saj të rastit, Kusari-Lila tha se roli i Alternativës në vitet e fundit ka qenë pjesëmarrja aktive në jetën institucionale dhe politike të vendit.
“Në pesë vitet e fundit, prej kur Alternativa si subjekt zyrtarisht u prezantua në skenën politike të Kosovës, vendi, pra Kosova jonë e dashur, kaloi në: tre palë zgjedhje nacionale, u administrua nga katër Qeveri dhe me sukses i kaloi edhe dy palë zgjedhje lokale. Pra, shumë ngjarje ndodhën për pesë vitet e fundit në Kosovë. Roli i Alternativës, në këto zhvillime ishte të pjesëmarrja aktive në jetën institucionale dhe politike të vendit”, ka thënë Kusari-Lila.
“Ideja e themelimit të partisë së re, me orientim liberal demokrat është e mbërthyer në emrin e vet, t’ia ofrojë skenës politike në Kosovë një alternativë politike”, shtoi ajo.