​Pushteti s’miraton Projektligjin të iniciuar nga LDK-ja, Konjufca mbyll seancën me një shaka

Aktuale

​Pushteti s’miraton Projektligjin të iniciuar nga LDK-ja, Konjufca mbyll seancën me një shaka

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 08:07 Përditësuar në ora: 11:41 më 29.07.2022
Kuvendi i Kosovës

Haxhiu: Rregullimi i çmimeve të barnave – jetik për qytetarët

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka vlerësuar se Projektligji për rregullimin e çmimeve të barnave është tejet jetik për qytetarët e Kosovës.

Haxhiu ka thënë se në vendet e rajonit ekziston ky rregullim dhe se iniciativa e tyre duhet të përkrahet edhe nga partitë tjera.

Është një prej segmenteve më të rëndësishme për shëndetësinë dhe për të ndaluar abuzimet me çmime. Me vite qytetarët paguajnë barna më shtrenjtë se qytetarët e rajonit. Në 2018 është marrë vendim që të rregullohet ky segment, më pastaj ky udhëzim administrativ është larguar për të lënë pa rregullim të barnave”.

E kanë edhe vendet e BE-së dhe në Kosovë kërkohet që të ketë një rregullim të çmimeve të barnave. Së bashku me ekspertë kemi punuar që ta sjellim një projektligj që rregullon çmimet e barnave”, tha Haxhiu.

Projektligji për financimin e partive politike shtyhet për javën tjetër

Shqyrtimi në lexim të dytë i Projektligjit për financimin e subjekteve politike në Kuvendin e Kosovës është shtyrë për javën e ardhshme, pasi i njëjti nuk është trajtuar fare nga komisioni parlamentar për komunitete.

Deputetët në seancën e sotme plenare, miratuan edhe një mocion për shmangie të afateve procedurale për këtë projektligj dhe i dhanë afat komisionit për komunitete që deri të hënën të shqyrtojnë të njëjtin.

Krahas kësaj, Kuvendi, s’pati kuorum edhe për shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjin themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.

Kuvendi po vazhdon punimet me pikat e tjera në rend të ditës.

Kuvendi mblidhet për të vazhduar 12 pikat e papërfunduara, përfshirë debatin për vizat

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sërish në seancë plenare prej orës 10:00 për të vazhduar me 12 pikat e mbetura, disa nga seanca e së enjtes por edhe disa pika të mbetura nga seancat e mëparshme.

Fillimisht deputetët do të bëjnë shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për financimin e subjekteve politike, pastaj shqyrtimin e dytë të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore, shqyrtimin e parë të Projektligjit për Rregullimin e Çmimit të Produkteve Medicinale, shqyrtimin e parë të Projektligjit për Shëndetësi e shqyrtimin e Raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2021. Të gjitha këto pika të mbetura nga seanca e së enjtes.

Ndërsa pikat e mbetura nga seancat e kaluara janë: Votimi i Propozim-rezolutës për adresimin e rritjes së çmimeve, Shqyrtimi i Raportit vjetor të Agjencisë për Informim dhe Privatësi për vitin 2021; Shqyrtimi i Raportit vjetor të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut – KOSTT Sh.a. për vitin 2021; Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 12/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor të Kosovës; Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 13/84, datë 22 qershor 2022 për hartimin e Planit Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri”; dhe Ratifikimi i anëtarit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë të Agjencisë Kosovare të Akreditimit

Po ashtu, për sot është paraparë edhe debati parlamentar në lidhje me mos liberalizimin e vizave nga BE-ja për Kosovën.

Ndërsa, në seancën e së enjtes, me 81 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi Rregulloren e re. Po ashtu, Kuvendi miratoi Marrëveshjen e Partneritetit për Kornizën Financiare ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Komisionit Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të Unionit për Kosovën në kuadër të Instrumentit të Para-anëtarësimit (IPA III).

Po ashtu, me 89 vota për, Kuvendi miratoi Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes Kompakt të Sfidave të mijëvjeçarit dhe marrëveshjes për zbatimin e Programit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e përfaqësuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit.

Edhe Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për financim të politikave zhvillimore për financa publike dhe rritje të qëndrueshme ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, u përkrah nga grupet parlamentare dhe më pas mori miratimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat