Statovci për deklaratën e Arben Gashit: Këto janë taktizime politike për të nxitur dyshime

Aktuale

Statovci për deklaratën e Arben Gashit: Këto janë taktizime politike për të nxitur dyshime

Më: 29 korrik 2022 Në ora: 14:53
Arben Gashit

Deklarata e shefit të Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, se tetë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje pritet se do kalojnë në LDK, ka ngjallur reagime në vend. Lidhur me këtë, deputetja e LVV-së, Jeta Statovci thotë se nuk ka indikacione të tilla.

Sipas saj, këto janë taktizime politike të cilin bëhen për të nxitur dyshime.

“Koalicioni është shumë stabil dhe punohet çdo ditë në zotimet tona politike…të them të drejtën, ndoshta tendenca të tilla për të krijuar hamendje dhe brenda grupit, kemi parë edhe te situata e Trustit, ku tha që votat në raport me kalimin e Projektligjit për Trustin i kemi përmes deputetëve të LVV-së, e doli që të mos jetë asnjë votë në periudhën kur u votua…kështu që janë edhe taktizime politike për të nxitur edhe dyshime”, tha ajo.

Tutje, ajo potencoi se këto deklarata lidhen me vizitën, siç e quan ajo të shkëlqyeshme, të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti në SHBA, dhe takimin e tyre me sekretarin e shtetit, Antony Blinken.

“Fakti që prezantohet bash në këtë kohë, unë e lexoj ma shumë ndoshta që lidhet edhe me vizitën e shkëlqyeshme me dhe lajmet e mira që morën nga vizita e presidentes Osmani dhe kryeministrit Kurti në takimin me sekretarin Blinken edhe me marrëveshjen kaq të rëndësishme për vendin dhe për shtetin me 237 milionë që i dhurohen vendit”, shtoi ajo.

Sipas deputetes së LVV-së, këto taktizime politike janë për të marrë vëmendje “nga të gjitha aspektet pozitive që po ndodhin brenda vendit”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat