Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës Besian Mustafa, ka ngushëlluar familjarët për vdekjen e dy mërgimtarëve në aksidentin e sotëm në magjistralen Prishtinë-Podujevë.
Mustafa kërkuar bashkimin e partive politike, për të rregulluar magjistralen Prishtinë-Podujevë me urgjencë, e cila sipas tij, është në gjendje të tmerrshme, përcjell Bota sot.
“Tragjike, e dhimbshme, e tmerrshme vdekja e dy mërgimtarëve në magjistralen Prishtinë-Podujevë si pasojë e aksidentit rrugor. Ngushëllime familjes, miqve dhe gjithë qytetarëve.
Kjo magjistrale, që përdoret shumë nga mërgata dhe nga banorët, është në gjendje të tmerrshme dhe si e tillë shkaktare e shumë aksidenteve, shpeshherë edhe fatale, fatkeqësisht.
Përtej pushteteve e politikave ditore, duhemi të bashkojmë forcat tona për të rregulluar magjistralen Prishtinë-Podujevë me urgjencë!
Së shpejti do të duhej të vinte në Kuvend rishikimi i buxhetit. Ftoj të gjithë deputetët e këtij regjioni, por edhe përtej, pa dallime partiake, të angazhohemi të sigurojmë buxhet të mjaftueshëm për këtë projekt një herë e përgjithmonë!”, ka shkruar Mustafa në një postim në Facebook.
Si pasojë e aksidentit të sotëm, ka vdekur çifti i mërgimtarëve nga Malisheva, ndërsa lëndime kanë marrë dy fëmijët e çiftit, të cilët po trajtohen në QKUK./BS