Në vendkalimet kufitare me Serbinë vazhdon të ketë fluks të madh të automjeteve me bashkatdhetarë që po vijnë t’i kalojnë pushimet në Kosovë dhe atyre që po kthehen.
Sipas Qendrës Kombëtare për Menaxhimin Kufitar në përditësimin e orës 20:18 pritjet më të gjata janë regjistruar në vendkalimin kufitar në Merdare, ku në dalje qytetarët po presin 1 deri në dy orë. Ndërkaq kolona në dalje është 1000 metra.
Kurse, për të hyrë në Kosovë në këtë pikë kufitare qytetarët po presin 15 deri 20 minuta dhe kolona është e gjatë 70 metra.
Pritje më të gjata janë regjistruar në hyrje të pikës kufitare te Dheu i Bardhë. Këtu qytetarët për të hyrë po presin 50 deri në 55 minuta, kurse kolona është e gjatë 120 metra.
Ndërkohë, që në dalje qytetarët po presin rreth një orë dhe kolona është e gjatë 300 metra.
Pritje të gjata ka edhe në hyrje dhe dalje të pikës kufitare në Muçibabë dhe Jarinje.
Në vendkalimet e tjera kufitare të Kosovës me vendet e tjera fqinje nuk ka pritje më të gjata se 05-10 min në hyrje dhe dalje.