Kontratat e dyshimta/ Berisha i reagon Durmishit, ia publikon disa dokumente

Aktuale

Kontratat e dyshimta/ Berisha i reagon Durmishit, ia publikon disa dokumente

Më: 30 korrik 2022 Në ora: 09:27
Bekë Berisha dhe Hysen Durmishi

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bekë Berisha, i është kundërpërgjigjur zëvendësministrit të Infrastrukturës, Hysen Durmishit, duke i publikuar disa dokumente përmes së cilave pretendon se dëshmohen akuzat e thënë dje në konferencën për shtyp.

Berisha përmes një postimi në Facebook, ka shpërndarë disa dokumente duke i cilësuar ato si versioni origjinal.

“Hysen Durmishi ky është versioni origjinal”, ka shkruar Berisha.

Kujtojmë se dje AAK-ja përmes një konference për media, ftoi Prokurorinë e Shtetit të nisë hetimet për katër kontrata publike kornizë të nënshkruara nga Ministria e Infrastrukturës për siç thuhet mirëmbajtje të autostradave, në këtë rast për autostradat “Arbën Xhaferi” dhe “Ibrahim Rugova”.

Deputeti Berisha para mediave tha se vlera e këtyre kontratave të dyshimta për korrupsion është mbi 400 mijë euro, të nënshkruara nga zëvendësministri Durmishi dhe nga zyrtari përgjegjës i prokurimit në Ministri të Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi.

Por, ndaj këtyre akuzave reagoi më pas zëvendësministri Durmishi, i cili përmes një postimi në Facebook mohoi të ketë nënshkruar këto kontrata.

“Nuk i kam nënshkru katër kontrata në vlerë rreth 400 mijë euro o Bekë Berisha sepse me ligj zv. Ministri nuk nënshkruan kontrata nën vlerën 500 mijë euro”, shkroi ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat