18-vjeçarja nga Kosova rrëfen se si u trafikua nga një i moshuar

Aktuale

18-vjeçarja nga Kosova rrëfen se si u trafikua nga një i moshuar

Më: 30 korrik 2022 Në ora: 12:53
Ilustrim

“Po më dukesh vajzë e mirë dhe dua të të ndihmoj”, ky ishte premtimi që i ishte bërë vajzës me inicialet A.H., 15 vjeçe, nga një burrë më i vjetër. Ajo çfarë pësoi pas kësaj, sipas A.H., do të çonte në eksperiencën më të rëndë të jetës së saj.

Në një rrëfim për Radion Evropa e Lirë, kjo vajzë që tani është 18-vjeçare tregon se si ra pre e mashtrimit, u trafikua dhe u dhunua seksualisht për disa javë.

A.H. nga Kosova në atë kohë jetonte me prindërit dhe vëllain e saj.

Si fëmijë, kujtoj zhurma, konflikte, e shumë pak momente gëzimi”, tregon ajo.

Problemi kryesor në familjen e saj ishin kushtet e vështira ekonomike. Kjo po i shkaktonte stres të madh psikologjik kësaj adoleshenteje, pasi, siç thotë, secila kërkesë e saj “dukej si kërkesë luksi”.

“Rrethi im, me të cilin shoqërohesha, më shtynte çdo herë rreth lakmisë e nevojës për një jetë pa vështirësi ekonomike”, thotë A.H.

Për këto probleme ajo i ishte rrëfyer në detaje edhe një personi më të moshuar se ajo, që e takoi gjatë një feste me shoqërinë e saj. Pas premtimit se do t’i ndihmojë, A.H kaloi natën me të.

“Më kujtohet mëngjesi i tmerrshëm mbas asaj nate kur më tha zgjohu e hajde se po të pret dikush. Kur e pyeta se kush, më tha ‘shpejt e kupton’”, tregon ajo.

Pas kësaj, ajo thotë se ai burrë ia kishte marrë telefonin duke e kërcënuar se çdo veprim kundërshtimi do t’i kushtonte familjes së saj.

A.H. thotë se ishte dërguar në “një banesë të vogël e të ndotur”, ku më pas për një muaj e gjysmë u detyrua të kryej marrëdhënie seksuale me burra që pretendonin se kishin paguar për atë punë.

“Për një muaj e gjysmë [qëndrova] e mbyllur dhe shumë herë pa vetëdije, e torturuar dhe e maltretuar”, rrëfen ajo.

Pas kësaj eksperience, ajo kishte arritur të largohej. Thotë se është ndier keq emocionalisht, duke kaluar periudha ankthi e stresi.

Ajo arriti të marrë ndihmë e të strehohej në një qendër e cila merret me mbrojtjen e viktimave të trafikimit.

“Seancat me psikologë klinikë, programet e ndryshme psiko- sociale, edukative arsimore dhe shëndetësore, programet e vetëdijesimit më kanë ndihmuar që sot të mendoj jetën me një këndvështrim tjetër”, thotë A.H./REL

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat