​Petkoviq pas takimit me serbët: Vendimi i Prishtinës është i papranueshëm

Aktuale

​Petkoviq pas takimit me serbët: Vendimi i Prishtinës është i papranueshëm

Më: 31 korrik 2022 Në ora: 19:40
Ilustrim

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq  pas një takimi me përfaqësuesit politikë të serbëve nga Kosova në Rashkë, deklaroi se “ajo që po bën kryeministri Albin Kurti është drejtpërdrejt kundër serbëve dhe se qëllimi i tij është të dëbojë popullin serb nga Kosova”.

Petkoviq theksoi se është e papranueshme që Beogradi të lëshojë dokumente për hyrje-dalje, përkatësisht heqjen e letërnjoftimeve dhe targat serbe. Ai ka theksuar se serbët në Kosovë kanë mbështetjen e plotë të Serbisë.

“Ajo që po bën Albin Kurti është drejtpërdrejt kundër popullit serb në Kosovë dhe synon të dëbojë popullin serb dhe institucionet serbe nga Kosova”, tha Petkoviq.

Ai ka theksuar se mesazhin e presidentit serb Aleksandar Vuçiq ua ka përcjellë përfaqësuesve të serbëve nga Kosova, të cilëve u ka kërkuar që ta ruajnë paqen dhe të mos bien në “provokimet” e Prishtinës.

Petkoviq po ashtu ka përcjellë se nga të gjithë përfaqësuesit e serbëve në takim ka dëgjuar kërkesën e tyre për formimin e asociacionit të komunave serbe.

Ai tha se Beogradi do të vazhdojë të lëshojë të gjitha dokumentet për qytetarët në Kosovë sikurse deri më tash.

Ndryshe, nesër hyn në fuqi masa reciproke e autoriteteve kosovare ndaj letërnjoftimeve dhe targave të lëshuara nga Serbia.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat