Edhe Partia e Republikanëve të Kosovës, ka shprehur mbështetjen e saj ndaj Qeverisë së Kosovës, lidhur me masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.
Në një postim në Facebook, kryetari i kësaj partie Faton Kurti, ka thënë se kjo masë është e domosdoshme, përcjell Bota sot.
“Reciprociteti i plotë është përgjigjja e duhur ndaj këtij "Putini" shovinisti luftënxitës”, ka shkruar Kurti.
Reagimi i tij i plotë:
Reciprociteti i plotë ndaj Serbisë i domosdoshëm!
Kosova (dardania) ka zot shpie.
Nesër, më 1 gusht 2022, hyn në fuqi zbatimi i vendimit të Qeverisë i datës 29 qershor, për fillimin e konvertimit të targave në ato zyrtare të Republikës së Kosovës.
Për dy dekada Veriu i Kosovës është shndërruar në Eldorado të krimit të organizuar i mbështetur direkt nga Beogradi zyrtar dhe plotësisht i toleruar nga qeveritë e kaluara të Kosovës.
Kjo situatë destabilizuese për shtetin e Kosovës edhe për vetë qytetarët serbë të Kosovës do të marrë fund njëherë e përgjithmonë.
Republikanët e Kosovës e mbështesin plotësisht reciprocitetin ndaj Serbisë për të vënë rend në Veri dhe për të mbrojtur sovranitetin e Kosovës.
Reciprociteti i plotë është përgjigjja e duhur ndaj këtij "Putini" shovinisti luftënxitës.