Hiqen të gjitha barrikadat, policia kontrollon kufijtë

Aktuale

Hiqen të gjitha barrikadat, policia kontrollon kufijtë

Më: 1 gusht 2022 Në ora: 07:48 Përditësuar në ora: 11:13 më 01.08.2022
Bllokimi i rrugëve në fshatin Zupç, në afërsi të pikëkalimit kufitar në Bërnjak, që lidh Kosovën dhe Serbinë. 1 gusht 2022.

​Reciprociteti për letërnjoftimet, deklarohen qytetarët serbë

Qytetarët serbë që po ia mësyjnë Kosovës përmes pikës kufitare në Merdare po vazhdojnë të pajisen me fletëdeklarime për hyrje-dalje në territorin e Kosovës.

Qytetarët serbë duke hyrë në Kosovë, thanë për KosovaPress se vendimet për fletëdekalrime si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë janë keqtrajtim për të dy popujt dhe një budallallëk.

Qytetari 1

Të gjithë qytetarët, shqiptarët dhe serbët pësojnë, kjo nuk është në rregull, është një budallallëk, të them të drejtën, keqtrajtimi i popullit, nuk e shoh qëllimin e kësaj, është thjesht inat”, tha qytetari serb duke hyrë në Kosovë.

Një qytetar tjetër, tha se pajisja me fletëdeklarim për të hyrë në Kosovë nuk është një problem i madh për të.

Qytetari 2

Nuk ka problem, nuk është problem për mua, çfarë të them tjetër, edhe kjo do të zgjidhet brenda dy ditëve. Unë nuk jam ai qe duhet te vendos për këtë, jam thjesht një njeri qe udhëtoj këtu, punoj dhe jetoj këtu, andaj nuk di çfarë te them, unë nuk merrem me politikë, kam lindur këtu poshtë, unë jetoj atje poshtë, tani dikush tjetër do ta vendosë. Unë me të vërtetë nuk kam asnjë problem me këtë”, tha ai.

Kosova mëngjesin e së hënës ka filluar reciprocitetin për letërnjoftime ndaj Serbisë. Qeveria e Kosovës është zotuar se ky vendim do të shtyhet deri më 1 shtator, mirëpo fillimisht duhet të largohen barrikadat në veri të Kosovës.

Në pikat kufitare me Serbinë, pritje dhe kolona më të gjata

Në vendkalimin kufitar mes Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë dhe te Dheu i Bardhë, pritjet e qytetarëve për hyrje dhe dalje vazhdojnë të zgjasin deri në tre orë.

Në Qendrën Kombëtare për Menaxhim Kufitar raportohet se në pikën e kalimit kufitar në Merdarë, qytetarët që hyjnë në Kosovë po presin deri në 60 minuta, kurse për të dalë nga Kosova deri në 180 minuta.

Kolona e automjeteve për të hyrë në Kosovë në këtë pikë është 250 metra e gjatë, ndërsa në dalje 1000 metra.

Në pikën tjetër kufitare te Dheu i Bardhë, pritjet për hyrje zgjasin deri në 90 minuta dhe pesë minuta për dalje.

Pritjet janë dukshëm më të shkurta në pikat tjera kufitare midis Kosovës dhe shteteve tjera fqinje, si me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.

Në pikat kufitare të Kosovës, zakonisht gjatë sezonit të verës, vazhdojnë pritjet e gjata të qytetarëve që jetojnë jashtë vendit dhe vijnë në Kosovë, si dhe të atyre që dalin nga Kosova.

Kurse, pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak janë mbyllur për qarkullim të udhëtarëve dhe automjeteve, për shkak të bllokadave të vendosura nga serbët lokalë në veri të Kosovës, ka bërë të ditur Policia e Kosovës.

Policia i ka njoftuar qytetarët që të përdorin rrugë alternative.

Për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe, serbët lokalë në Kosovë më 31 korrik vendosën barrikada në rrugët që çojnë në Jarinjë dhe Bërnjak.

Petkoviq: Njerëzit tanë janë lodhur nga terrori i Kurtit

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka thënë më 1 gusht se në 24 orët e fundit kanë bërë të pamundurën “për të ruajtur paqen dhe stabilitetin” në komunat veriore të Kosovës.

Ai ka thënë se janë realizuar përpjekjet e tyre pasi shtetet e Quint-it dhe SHBA-ja i bënë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të shtyrë vendimet për targat dhe dokumentet serbe, si dhe për gjetjen e një zgjidhjeje në Bruksel.

“Po flasim me serbët e Kosovës dhe do të bëjmë gjithçka në dorën tonë për të mbajtur paqe dhe stabilitet, por njerëzit tanë janë lodhur. Askush nuk mund të durojë terrorin e përditshëm të Albin Kurtit”, ka thënë Petkoviq.

Policia jep detaje: Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim

Nga: H.O.

Në një komunikatë dërguar për media, Polici e Kosovës ka njoftuar gjendjen aktuale në veri. Sipas tyre, Policia e Kosovës, sipas detyrës zyrtare dhe autorizimeve ligjore po vazhdon angazhimet e saj në ofrimin e sigurisë, ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike, zbatimin e vendimeve të institucioneve të RKS-së, si dhe ndërmarrjen e masave policore konform situatës dhe zhvillimeve në veri të Mitrovicës.

“Vendimi për pajisje me dokumentin për hyrje-dalje të qytetarëve që posedojnë dokument personal identifikimi të lëshuar nga autoritetet e Serbisë, të cilët paraqiten për kalim të kufirit shtetëror të Republikës së Kosovës, ka filluar të zbatohet në nivel vendi. Dy pikat kufitare Jarinje dhe Bernjak vazhdojnë të mbesin të mbyllura për qarkullim, për shkak të vazhdimit të bllokimit të rrugëve në drejtim të këtyre dy pikë kalimeve kufitare, të cilat janë bërë me mjete të rënda nga persona/grupe të organizuara kriminale”, thuhet në komunikatë.

Tutje thuhet se informacionet zyrtare konfirmojnë se dje, më 31.07.2022 pas bllokimit të rrugëve në veri të Mitrovicës, në katër raste ka pasur të shtëna me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore si dhe në një rast është dëgjuar të ketë ndodhur një detonim. Fatmirësisht nuk raportohet për ndonjë qytetar apo zyrtar policorë të plagosur nga arma e zjarrit.

“Deri më tani janë raportuar katër raste ku qytetarët shqiptarë të cilët kanë qarkulluar në atë pjesë janë ndaluar dhe maltretuar, duke iu shkaktuar lëndime dhe shkaktim të dëmeve materiale në automjetet e tyre, nga ana e personave të dyshuar të cilët dyshohet se janë pjesë e organizimeve të bllokimit të rrugëve. Policia e Kosovës të gjitha veprimet e mëtejme do ti ndërmerre në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në komunikatë.

Punonjësit serbë udhëzohen të dalin në barrikada

Punonjësit e arsimit dhe shëndetësisë të sistemit serb në Kosovë, janë udhëzuar që të dalin në barrikada në veriu.

Policia e Kosovës tha se situata në mëngjesin e sotëm është e qetë.

Por rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak, mbeten të bllokuara.

Mitrovica e Veriut zgjohet me mesazhe për Asociacionin

Në Mitrovicë të Veriut, komunë e banuar me shumicë serbe, në mëngjesin e 1 gushtit janë parë mesazhe lidhur me Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

“Mirë se vini në Asociacionin e komunave me shumicë serbe”, shkruhet në pankartat dhe banerët e vendosur në qytet, teksa situata në këtë komunë raportohet të jetë e qetë.

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë serbe, Petar Petkoviq, më 30 korrik paralajmëroi se serbët në Kosovë do të nisnin formimin e Asociacionit, nëse Prishtina nuk tërhiqet nga vendimet për targat dhe dokumentet identifikuese.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit më 2013 dhe 2015, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, por marrëveshja ende nuk është zbatuar.

Gjykata Kushtetuese më 2015 tha se 23 pikat e marrëveshjes nuk janë në harmoni me Kushtetutën, por ato mund të harmonizohen përmes akteve ligjore nga Qeveria e Kosovës.

Serbia insiston në formimin e Asociacionit, por kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është shprehur kundër një Asociacioni njëetnik.

Pse po protestojnë serbët?

Serbët lokalë po kundërshtojnë dy vendimet e 29 qershorit të Qeverisë së Kosovës lidhur me targat dhe dokumentet serbe.

Qeveria ka thënë se do të pajisë me dokumente të hyrje-daljeve të gjithë shtetasit e Serbisë, me të hyrë në territorin e Kosovës.

Praktikë të njëjtë Serbia aplikon për qytetarët e Kosovës për vite me radhë.

Ndërkaq, vendimi i dytë ka të bëjë me riregjistrimin e makinave që kanë targa me akronime të qyteteve të Kosovës. Këto targa lëshohen nga Serbia dhe Kosova i konsideron ilegale.

Vlerësohet se në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, qarkullojnë 10.000 makina me targa sikurse KM (Mitrovica e Kosovës), PZ (Prizren), UR (Ferizaj), e të tjera.

Por, pas tensionimit të situatës, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, u takua me krerët institucionalë të Kosovës, duke iu kërkuar që të shtyjnë për një muaj zbatimin e këtyre vendimeve.

Qeveria u pajtua se do të shtyjë zbatimin deri në shtator, por shtyrja do të aplikohet nga momenti kur të hiqen barrikadat.

​Vazhdon lëshimi i dokumenteve për hyrje - dalje në Merdare

Reciprociteti për letërnjoftime me Serbinë po vazhdon edhe në orët e hershme të mëngjesit. Në pikën kufitare në Merdare po lëshohen fletëdeklarimet për gjithë shtetasit serbë që po hynë në Kosovë.

Zyrtarë policorë në këtë pikë kufitare thanë për KosovaPress se deri të ketë një vendimmarrje politike, të njëjtit do të vazhdojnë t’i pajisin shtetasit serbë me fletë-deklarime për hyrje - dalje në territorin e Kosovës.

Media tentoi të marrë një prononcim nga qytetarë serbë që erdhën në Kosovë, mirëpo të njëjtit nuk pranuan të flasin.

Aktualisht, në këtë pikë kufitare ka kolona të gjata veturash si në dalje, po ashtu edhe më hyrje të Kosovës, kryesisht mërgimtarë.

Kryeministri Albin Kurti, megjithëse është zotuar për shfuqizim të vendimit për reciprocitet, ai ka thënë se i njëjti do të shfuqizohet kur të largohen barrikadat në veri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat