Zëvendësministrja e Drejtësisë, Nita Shala, ka raportuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, në lidhje me raportin mbi vlerësimin e përafrimit të ligjeve, politikave dhe masave të tjera të Kosovës sipas standardeve të Konventës së Stambollit.
Ky raport u cilësua si shumë i rëndësishëm nga zëvendësministrja Shala, sepse, siç tha ajo, ai e ndihmon Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës.
“Raporti i GREVIO-s është shumë i rëndësishëm sepse e ndihmon Kosovën në anëtarësimin në Këshillin e Evropës”.
Tutje, Shala tha se raporti do të bëhet publik në mesin e tetorit, pasi që të merren komentet nga institucionet përgjegjëse.
“Raportet me Këshillin e Evropës i kemi filluar qysh në janar të këtij vitit. Kemi bërë analizë në vendin tonë sipas kërkesave të konventës së Stambollit”.
“Raporti bëhet publik në mes të tetorit. Ekspertet e GREVIO-s kanë hartuar raport sa i përket bazës ligjore. Draftin e dytë të raportit e kemi pranuar në korrik dhe i është dërguar institucioneve përgjegjëse. Aktualisht jemi duke pritur komente nga institucione përgjegjëse. Pasi ti pranojmë këto me 15 shtator ia rikthejmë komentet tona ekspertëve të GREVIO-s. Funksionojmë me 15 ekspertë”.
Zëvendësministrja e Drejtësisë gjithashtu tha se ky raportim e ndihmon Kosovën që ta ketë një pasqyrë të qartë të obligimeve që rrjedhin nga konventa e Stambollit si dhe të identifikojë sfidat me të cilat përballen institucionet e vendit.
“Ne do ta kemi pasqyrë të qartë të obligimeve që rrjedhin nga konventa e Stambollit dhe nismën për ligjin për mbrojtjen e dhunës në familje. Raporti GREVIO identifikon sfidat që përballen institucionet vendore”.