Ish ministri i Punëve të Jashtme Skender Hyseni ka komentuar deklaratën e Kryeministrit Spanjoll, Pedro Sanchez lidhur me arsyetimin e tij për mosnjohjen e Kosovës si shtet dhe veprimin e djeshëm të qeverisë sa i përket vendosjes së reciprocitetit me Serbinë.
Në një postim në Facebook Hyseni është ndalur te arsyetimi i kryeministrit spanjoll se me pavarësinë e Kosovës ëshë shkelur e drejta ndërkombëtare.
“Vizita e Kryeministrit spanjoll në Tiranë e Serbi, dhe….
Eksperimentet fëminore e me pasoja të Kurtit në veri të Kosovës!
Simbas raportimit në media Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez paska deklaruar në Tiranë se qëndrimi i Spanjës për njohjen e Kosovës nuk ndryshon. Sanchez paska thënë se “mendimi i tij është se është shkelur e drejta ndërkombëtare prandaj nuk mund të jemi në favor të këtij pranimi ( lexo të njohjes së Kosovës)” Deklarata të ngjashme, Sanchez dha edhe në Beograd ???!!!
Sanchez, mbase mund të ipte ndonjë arsye tjetër, nëse ka të tilla?!, për mosnjohjen e Kosovës, por çuditërisht ai bëri një gaf të rëndë diplomatik e politik, duke deklaruar se shpallja e pavarësisë “paska shkelur të drejtën ndërkombëtarë”, ka thënë Hyseni.
Ai ka theksuar se duhet t’ia kujtojmë z.Sanchez se deklarata e tij bie ndesh dhe fyen keq Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila më 22 korrik 2010, me një vote bindëse 10:4, konstatoi se “shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë dispozitë të aplikueshme të së drejtës ndërkombëtare”.
Sipas tij, Sanchez dhe Spanja si antëtare e OKS-së, duhet, e pakta, të marrin në dijeni të plotë dhe konsideratë se pavarësia e Kosovës është legjitimuar nga GJND, organi kryesor juridik i OKB-së.
Më tej ai ka thënë se kryeministri i Kosovës Albin Kurti po bën eksperimente fëmijërore e me pasoja në veri të Kosovës, derisa opozita është inekzistente.
“Nuk duhet të jesh shumë i mençur që të konstatosh se vendosja e barrikadave dhe pengimi i lirisë së lëvizjes në cilëndo pjesë të Republikës së Kosovës, është i papranueshëm dhe duhet parandaluar.
Por kjo bëhet me veprime të planifikuara dhe të organizuara mirë, me një vizion i cili nuk duron dështim. Çdo veprim që i parapriu vendimit të ngutshëm si dhe vet aksionit në veri mbrëmë duket sheshazi se ishin vendime tërësisht të paplanifikuara dhe të pamenduara mirë. Si përfundim ky eksperiment femijnor dështoi si s’ka më keq dhe rrjedhimisht, në një kontekst politik, tërësisht të pafavorshëm për Kosovën, ushqen skenarë anti shqiptar dhe anti kosovar rus e serb!”, është shprehur ai.
Për ish ministrin e jashtëm, veprimet e Qeverisë duket që nuk ishin fare paraprakisht të koordinuara me partnerët tonë ndërkombëtarë.
“Koordinimi i ngushtë me partnerët e Kosovës në botë është thelbësor dhe i pa alternativë në këtë fazë të shtet ndërtimit të Kosovës.
Veprimet kriminale të strukturave paralele në veri janë të sponsorizuara nga qeveria serbe dhe qartësisht me ndërhyrje të shërbimeve ruse, dhe si të tilla duhet të monitorohen dhe të denoncohen nga Bashkësia Ndërkombëtare.
Por në Kosovë përfundimisht duhet të kuptohet se normalizimi i raporteve Kosovë Serbi nuk duron zgjidhje parciale. Strategjia e zgjidhjeve parciale përmes zbatimit të marrëveshjeve parciale është thellësisht e gabuar dhe rrezikon të betonojë status-quonë që është interes jetik i Serbisë dhe Rusisë”, ka nënvizuar ai.
Krejt kjo, sipas tij dëshmon edhe një herë se zgjidhja e vetme, e qëndrueshme e raporteve Kosovë-Serbi është një marrëveshje gjithëpërfshirëse, e përqendruar në njohje të ndërsjellë.
“Qeveria e Kosovës duhet të ndërpres eksperimentet e rrezikshme dhe politikën infantile e popullsitë në kurriz të vet qenies së Kosovës.
Njësoj duhet të veprojë edhe opozita kalkulative dhe e papengueshme e Kosovës e cila merr turr në përkrahje të politikave fëmijërore të kësaj qeverie, duke projektuar vetëm pushtet dhe pa u lodhur fare për interesat jetike të vendit”, ka përfunduar ai.